Ilustrim
Skenderaj, asgjësohen 300 kilogramë mish i prishur - FOTO
Komuna e Skenderajt ka njoftuar se është asgjësuar një sasi e mishit prej 300 kilogramë, i cili ishte pa dokumentin e deklarimit dhe i prishur.
Sipas njoftimit të Komunës, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës, kur Policia e Kosovës ka identifikuar automjetin që po transportonte mishin.
Ata thonë se është ftuar Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Skenderajt dhe Prokuroria, që kanë ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personit të kapur në flagrancë.
“Sasia e mishit është asgjësuar dhe groposur sipas procedurave të kërkuara, nga Kompania ‘Uniteti'”, thuhet në kumtesë.
Kryetari i Komunës, Fadil Nura, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të lajmërojnë Inspektoratin dhe organet tjera relevante, për çdo parregullsi apo shkelje ligjore.
Ditë me parë është raportuar se 36 mijë e 180 kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar në depon e “Elkos Group” në Zahaq të Pejës.
Në këtë rast ishin ndaluar për 48 orë menaxheri i “Elkos Group” A. H. dhe zëvendësmenaxheri i depos A. A. Kjo sasi e mishit është groposur, asgjësuar me vendim te prokurorit, ku prezent ishin inspektorët e AUV.