Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Komuna e Skenderajt thotë se është përjashtuar nga këshilli organizativ për Epopenë e UÇK-së

Komuna e Skenderajt ka thënë më 29.02.2024 se është përjashtuar nga këshilli organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Komunës, kjo ka ndodhur për herë të parë.

Në këtë reagim është publikuar vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e këshillit shtetëror, ku nuk shihet Komuna e Skenderajt.

“Me keqardhje njoftojmë qytetarët dhe opinionin publik se është hera e parë që Komuna e Skenderajt përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt, pra në territorin administrativ të komunës së Skenderajt” – thuhet në reagimin e bërë në Facebook.

Tutje, Komuna e Skenderajt thekson se gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara.

“Epopeja e UÇK-së është ndër ngjarjet më madhështore e cila gjithmonë dhe çdoherë ka personifikuar unitetin, afrimin dhe mirëkuptimin e të gjithë shqiptarëve dhe asesi përqarjen e përjashtimin” – shtohet tutje.

Përkundër kësaj, Komuna e Skenderajt thekson se do të vazhdojë që këtë ngjarje ta shënojë me aktivitete të shumta sipas agjendës zyrtare, e cila do të publikohet të premten në faqen zyrtare të Komunës, në rrjete sociale dhe në media.

Lidhur me pretendimet e Komunës së Skenderajt KALLXO.com ka tentuar të marrë një sqarim nga Qeveria e Kosovës por deri në momentin e publikimit të artikullit zyrtarët qeveritarë nuk kanë kthyer përgjigje.