
Asgjësohet mishi me afat të skaduar i gjetur në depon e 'ELKOS'-it
Ditë me parë është raportuar se 36 mijë e 180 kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar në depon e “Elkos Group” në Zahaq të Pejës.
Në këtë rast ishin ndaluar për 48 orë menaxheri i “Elkos Group” A. H. dhe zëvendësmenaxheri i depos A. A.
Kjo sasi e mishit është groposur, asgjësuar me vendim te prokurorit, ku prezent ishin inspektorët e AUV.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i rastit, Dorian Juniku.
Juniku shtoi se te ndaluarit, pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është duke u hetuar.
KALLXO.com kishte kontaktuar edhe “Elkos Group” për këtë rast.
Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe përfaqësues të “Elkos Group” të cilët kanë thënë se sqarimin për konfiskimin e mishit e kanë bërë në rrjetin social Facebook.
Sipas “Elkos Group” ishte bërë ndarja e sasisë së mishit i cili kishte qenë me afat të skaduar.
“Produktet janë me afat të skaduar dhe nuk janë për shpërndarje, janë vendosur edhe mbishkrime nga përgjegjësi i depos”, thuhet në arysetimin e “Elkos Group”.