Fshati Klinë e Epërme, Foto: KALLXO.com

Heshtja institucionale në planin për kishën në Klinë të Epërme

Një nismë për ndërtimin e një kishe katolike në njërin prej fshatrave të Skenderajt është duke u diskutuar në komunitet. Debati, që ka prodhuar në disa raste edhe gjuhë të urrejtjes është injoruar nga autoritetet lokale.

Ndrek Kelmendi, në muajin shkurt të vitit 2024, ka dalë me një ide për ndërtimin e një kishe në një fshat ngjitur me Klinën e Mesme, atë të Eperme. 

Kjo ide nuk po përkrahet nga banorët e fshatit Klinë e Epërme, të cilët refuzojnë të flasin për këtë çështje publikisht duke shtuar se nisja e ndërtimit të një kishe pa pasur ndonjë vendim dhe në një tokë private nuk do të lejohet dhe do të ketë rezistencë. 

“Po, krejt kjo mahallë me këqyrë janë kundër me u ndërtu ajo kishë. Po do me maru një person i Klinës së Mesme. Ajo është pronë e huaja, nuk mundet me u ndërtu kurrgjë aty. Ne e kemi dhonë një herë intervistë, dhe i qëndrojmë mbrapa kundërshtimit”- thotë një banor, i cili nuk pranon të flas publikisht. 

Banori shton se nuk kanë ndonjë kundërshtim për ndërtimin e objekteve fetare, ani pse në atë fshat jeton dhe frymon më shumë religjioni islam. Por problemi qëndron te iniciativa individuale pa e diskutuar me askënd. 

“Nuk jemi kundër kishave me u maru, por nuk dojmë me u maru në tokë të huaj, nëse dojmë me maru kishë, na merrem vesh mes vete në lagje edhe e marojmë. Kurrkush me neve nuk ka folë”- thotë banori. 

E për interesat dhe kush qëndron mbrapa kësaj ideje ai thotë se nuk di asgjë. 

“Qa po di unë cili është interesi, nuk e di pse ka vendos me maru kishë në tokë të huaj, aj ka mendu që është tokë e komunës. Na e njohim si Halil po nuk e njohim me këtë emrin e ri që e ka bë tash së fundmi. Nuk na nevojë kërrkush me ardhë me maru kishë këtu, nëse dojmë na e marojmë vet jo me ardh dikush tjetër”- thotë banori në Klinën e Epërme. 

“Ai u tërheq nga kjo ide ka thanë qe ka gjetë tokë tjetër ashtu siç ka thënë ai”- shton tutje i njëjti. 

Në po të njëjtën lagje të Klinës së Eperme, KALLXO.com takoi edhe dy gra të cilat jetojnë pikërisht në këtë fshat e që edhe pretendojnë se toka në të cilën është pretenduar të ndërtohet objekti fetar është në emër të bashkëshortëve të tyre. 

“Burri jem thojke që është tokë private në emër të tij. Është edhe problem fetar, nuk është vetëm problem pronësor, pse? Sepse këtu na krejt jemi myslimanë, nuk kemi asnjë fe tjetër në këtë lagje. Nuk e dimë që këtu kemi ndonjë katolik, të paktën zyrtarisht nuk i dimë. Që 60 vjet unë këtu i kam martesë unë kurrë nuk e di që këtu kemi dikë te ndonjë feje tjetër”- thotë gruaja. 

Tutje, gruaja thotë se nëse kjo çështje do shkonte tutje dhe do të fillonte ndërtimi, kjo do paraqiste një problem të madh.

“Ja s’kish mujt kurrë me maru, ish bo luftë ish bo, kurrqysh nuk kishin pranu dikush prej lagjes tonë, po ma merr menja që ndoshta kishin bë problematikë ose kishin protestu”- shton ajo.

Edhe kjo grua nuk ka ndonjë përgjigje se kush qëndron mbrapa ndonëse dyshimet i shpreh. 

“Nuk po mundemi me ditë pse, është pyetje enigmë. Ai kurrë nuk ka folë më kërkond këtu që jemi në këtë fshat, na e kemi mendu mos e ka iniciu dikush, është diçka qëndron diçka se ai vet nga imagjinata nuk e ka qitë këtë çështje”- thotë tutje një grua në moshë. 

Komuna e Skenderajt zyrtarisht ende nuk ka nisur që të merret me këtë problematikë ani pse tashmë është evidente. Këtë e thonë edhe vet banorët edhe iniciatori. 

Në raste të ngjashme kur në komunitet shfaqet një problematikë, e njëjta do të duhej të trajtohej edhe në Këshillin për Siguri në Bashkësi, një mekanizëm i cili është përgjegjës për adresimin e shqetësimeve në komunitet në nivel lokal për aspektin e sigurisë. 

Në këto këshilla shpesh herë janë ngritur shqetësime apo problematika të ndryshme të cilat janë trajtuar. 

E Komuna e Skenderajt në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se deri sa ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për ndërtimin e një kishe atëherë nuk e kanë vendosur në diskutim këtë çështje. 

“Komuna e Skenderajt nuk ka pranuar asnjë kërkesë për ndërtimin e ndonjë kishe në Klinë të Epërme apo në fshatra të tjera prandaj nuk është diskutuar në asnjë organ të komunës dhe kjo çështje nuk ështe pjesë e asnjë planifikimi të komunës në të ardhmen”- thuhet në përgjigjen e Amir Lushtakut, udhëheqës i zyrës për komunikim me publikun në Komunën e Skenderajt. 

Vetëm pak kilometra nga Klina e Eperme gjendet edhe Klina e Mesme. Aty jeton Ndrek Kelmendi, rreth të 70-ve, i cili doli si iniciator për ndërtimin e kishës. 

Ndrek Kelmendi pranoi fillimisht që të takohej me ekipin e KALLXO.com dhe i ftoi të njëjtit në një bisedë në lidhje me këtë çështje. 

Gjatë kohës sa ekipi po niste takimin me të, në oborrin e Ndrek Kelmendit u paraqit vëllai i tij, i cili nuk dëshironte që të trajtohet çështja e nisur nga vëllai i tij. 

Ngjarja për disa minuta ishte e tensionuar dhe kaloi deri në fyerje dhe kërcënime ndaj ekipit të KALLXO.com. Gjatë kësaj kohe, vazhdimisht Ndrek Kelmendi kërkonte nga vëllai i tij të dilte nga oborri sepse ai ishte që priti dhe mirëpriti ekipin e KALLXO.com. 

“Ata për tokë të vet që flasin kanë të drejtë, unë nuk kam thanë me maru në tokë private, unë kam me kërku në komunë nëse kisha ka vend. Ende se kam bërë kërkesën, por do ta bëj, atë ditë që del komisioni, javën e ardhshme besoj do të dalë. Unë e di krejt atë vend”- thotë Kelmendi për ekipin e KALLXO.com. 

Ndrek Kelmendi thotë se toka i takon kishës sepse daton në atë vend.

“Ajo kishë daton me mijëra vjet, po popullata kur ka shku e kanë prish ata në të kaluarën, aty i thojnë udha e kishës, kroni i kishës, unë nuk po ju lypi tokë kërkujt hiç dhe ju kom tregu në fillim nuk po dojmë me maru kishë në tokë private të kërkujt”- thotë ai. 

Përderisa banorët në Klinë të Eperme kanë pikëpyetjet e tyre për idenë dhe qëllimin, Ndrek Kelmendi, flet për këtë çështje me ekipin e KALLXO.com.

“Unë nuk kam folë me të, për me rezistu as nuk guxojnë se i qes krejt prej aty, ata janë në tokë të kishës, janë krejt të trent. Nuk kemi bisedu me askënd, a po bisedojnë këta që po marojnë xhami mbi varreza, ka u maru ajo mbi varreza, a na veç pse po e bëjmë, Kosovën e kanë humb”- shton tutje ai. 

Sipas tij, veprimi i tij ka për qëllim të shpëtojë Kosovën.

“Nuk po shtyhemi a ka kisha a xhamia por po shtyhemi me pshtu Kosovën, e Kosova pshton nëse i hek mjekrrat prej ktuhit”- thotë Ndrek Kelmendi. 

Situata e cila nga dy palët po kundërshtohet, mund të dërgojë edhe në probleme më të theksuara, të cilat mund të prekin komunitetin që jeton në atë zonë.

“Ne të shkon në ekstremizëm, atë Drenica është t’u e lyp, me shku deri në ekstremizëm se u hup Kosova nuk ka më, ke autonomi palestineze”- vazhdon Kelmendi. 

Ai thotë se i ka penguar ndërtimi i një xhamie në Skenderaj.

“Kurrkush nuk ka shku aty me ngrit temel, çka janë t’u dashtë, na veç e kemi qitë në diskutim s’kemi shku me maru themeli është aty. Unë këtu i kam 24 hektarë tokë, kur dush e maroj as pushteti nuk guxon me mu përzi. Tash ja u tregoj krejt qëllimin që e kam me maru kishën, nuk është veç me maru kishë, se ku janë rruga, uji, rryma, nuk paguhet po është që me u hek xhamia prej vorrezave nëse nuk heket na kemi me vazhdu me maru kishën kemi me ja nis themelin aty që ky është qëllimi”- shton Kelmendi. 

Në regjionin e Skenderajt nuk është hera e parë që regjistrohet një problem në lidhje me çështje që ndërlidhen me temën që kemi trajtuar.

Në vitin 2015, KALLXO.com pati raportuar edhe për ndërtimin e disa rrethojave për varrezat katolike në fshatin Llapushnik. 

Më 22.06.2015, në Llapushnik të Drenasit ishte zhvilluar edhe një protestë e më pas edhe ishin rrënuar muret. 

Zhurma e Kambanës së Paralajmëruar në Llapushnik