'Kujtimet që s’i mori uji'

Ma rrezik e kam përjetu vërshimet se luftën” – kështu e kujton ditën e 19 janarit 2023, Xhafer Bimbashi nga fshati Llaushë të Skenderajt. 

Llausha është një prej fshatrave që është prekur nga vërshimet kur rreth orës 12:00 lumi doli nga shtrati duke përmbytur ekonomi familjare dhe toka bujqësore. Të dhënat zyrtare thonë se vlera e dëmit konsiderohet të jetë rreth 12 milionë euro. 

Gjurmët e asaj dite vazhdojnë të jenë të pranishme edhe një vit më vonë në qytetin e Skenderajt dhe fshatrave përreth. 

Xhafer Zyhrani bashkë me gruan e tij ishin në rrezik edhe të përmbyteshin vetë pasi shtëpia u rrënua e oborri ishte mbushur ujë.

62-vjeçari rrëfen momentin kur tre zyrtarë të Komunës iu dolën në ndihmë duke i tërhequr nga vendbanimi i tij. 

“Une me gru kam qenë, edhe u ardhë uji, një pjesë u ardhë deri qitu, po na nuk e kemi pritë që vjen ashtu, edhe po i tham grus “bire edhe një çaj”. Ndërkohë, nuk kam ditë kurgjo, veç kur mu ka rrëzu qikjo pjesë. U kanë Amir Lushtaku, Alban Berisha dhe Brahim Nura, ata janë kanë jashtë qaty, dhe ndërkohë i thonë djalit “kah me majtë” se këtu s’kanë mujtë me hy. Atëhere, i thotë djali “ jo rrugën unë ta gjej”.

“Kur kanë hyrë këtu në dyerë, kur e kam pa Amirin, Albanin dhe kur kanë hi. Se neve na ka zgjatë 2 orë e diçka me shoqen derisa janë ardhë djemtë. Po na nuk e pritshmi që vjen deri aty, edhe jena blloku. E kur janë ardhë ata, si me ardhë perëndia” – thotë ai.

Xhafer Bimbashi nga fshati Llaushë, KALLXO.com

“Nuk mbahet mend kësi vërshimi”

Tushila, një fshat piktorest i Skenderajt, ku përball shtëpive kalon lumi “Klina”, pësuan shumë, kur lumi doli nga shtrati duke vërshuar e përmbytur shtëpi e oborre përreth.

“Një metër e 40 u kanë uji qitu në oborr, as rrethi i bunarit nuk u doke prej ujit – u kanë krejt e mbulune”  – rrëfen Nebih Murati nga fshati Tushilë teksa numëron dëmet që iu shkaktuan.

Murati kujton momentin kur me nipin e tij dolën të rrjedha e lumit përball shtëpisë për ta shikuar nivelin, dhe për brenda 15 minuta oborri u vërshuan.

“Unë jam kanë qitu në oborr me një djalin e djalit, edhe po m’thotë “hajde babë, dalim e këqyrim lumin se po bjen shi” edhe i kam thanë “ik se ti je i vogël, tutesh” edhe jena kthy” – nis rrëfimin e tij Murati për momentet e para kur uji nisi të dal furishëm nga shtrati.

“Kur jemni kthy, jam hy brenda, jam ulë në sallon, kam nejtë nja 5 minuta – 10, kur gruaja ma ka ba “a erdhe nëpër oborr, se këqyr hyni uji”, i thash jo bre se sa kesh unë poshtë te lumi, nuk pati ujë shumë, m’tha jo se paske pa se uji u hi në oborr” – thotë ai.

Nebih Murati nga fshati Tushilë, KALLXO.com

Sipas tij, në këtë nivel të përmbysjes nuk mbahet mend që ka ndodhur ndonjëherë në Tushilë.

“15 minuta nuk ka pasë ma shumë që jam hy brenda kur ka ardhë qashtu uji. Kur e kam pa që djemtë deri të gjujtë në ujë, më thoshin hajde ndihmona largojmë najsen. Nuk na bijke ndërmend as me largu lopë, bile unë ju bërtitsha ju thosha “hajdeni hyni brenda se koka ujë shumë, kështu nuk u kanë kurrë”. Babën e kam pas, 86 vjet ka rrënu, nuk më ka thanë kurrë që u hyp uji këtu” – thotë ai.

Ai thekson se Tushila ka qenë strehë e shumë qytetarëve gjatë luftës dhe se 19 janari i vitit të kaluar ia kujtoi atë periudhë të vështirë për ta.

“Me flejtë nuk kam guxu”

“Ma rrezik e kam përjetu vërshimet se luftën, se kjo nuk t’vet hin mrena. Me flejt nuk kam guxu” – thotë Xhafer Bimbashi nga fshati Llaushë.

Ato momente, Xhafer Bimbashi thotë se ishte duke punuar në arë. Ai kujton se lopën me viç, nuk kanë mundur t’i largojnë nga shiu deri të nesërmen.

“Jemi kanë tu punu në ara, mirëpo e kemi lanë, e kemi ndërpre punë, kemi mendu që vetëm shi si rëndomtë qysh u ra, mirëpo, ka pas me shumicë edhe ma nuk kemi guxu me shku kërrkah. I kem pasë edhe fëmijët e vogël, një lopë e kam pasë me viç. Lopa me viç qashtu ka nejtë në shi, s’kam mujtë me nxjerrë. Deri këtu uji, s’kam mujtë. Natje, mëngjes e kam nxjerrë edhe tash e kam hjek[shitë] krejt atë lopë” – thotë ai.

Xhafer Bimbashi nga fshati Llaushë, KALLXO.com

“M’u kanë dhimtë viçat”

Në momentin kur oborri po vërshohej, Ragip Osaj dhe Shaqir Osaj, ishin duke mbajtur ditën e dytë për ngushëllime pas vdekjes së nënës së tyre.

Ragip Osaj nga fshati Klinë e Epërme thotë se dy viça i’a ka marrë uji. “Ma shumë mu kanë dhimtë viçat që nuk kam mujtë me i pshtu,  se shpirt kanë pas” – thotë ai.

“Qatë kohë jemi kanë në pame të nanës, dita e dytë u kanë kur na ka marrë uji. Kemi nga [vrapu] me shpëtu sene, po s’kemi mujtë. Gati kurrgjo s’kemi pshtu. Dy viça m’i ka marrë reka, m’i ka marrë përmbi 4 mijë kg kallamoq, do ma ka marrë, do ma ka prish që u hi uji. Shtëpinë qitu, krejt ballkanin ma ka prishë me qeramika me krejt qysh u kanë. Robët menxi i kemi shpëtu. Ma qanej janë kanë gratë në pane, burrat janë kanë në qitë shtëpinë e vëllaut” – ka thënë Osaj.

Ragip Osaj nga fshati Klinë e Epërme, KALLXO.com

Shaqir Osaj i cili merret me rritjen e pulave, thotë se nga mbi 100 pula që kishte, më pak së gjysmën e tyre kishte arritur t’i shpëtonte.

“Me shpëtu s’kam mujtë kurrgjë. Se u ardhë shumë shpejtë, thojsha “hajt se nuk rritet niveli” se nuk ka ndodhë kurrë, nuk e kam përjetu kurrë ashtu. Po erdh shumë shpejtë, nuk na bike nërmen me shpëtu diçka, përveç fëmijëve, i kam qitë në asfalt e i kam çu të miqtë. Pula nuk kam me shpëtu, se unë merrna me pula kapak, e bash qatë kohë i pata diku 110 pula po do i kam shpëtu, nja 30-40 copa s’kam shpëtu ma shumë’ – rrëfen ai.

Shaqir Osaj nga fshati Klinë e Epërme, KALLXO.com

Reportazhin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë: