Sigurimi shëndetësor i policisë, zero euro në buxhetin e Qeverisë Kurti

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, në çdo qeverisje premtim kanë pasur edhe sigurimin shëndetësor dhe jetësor.

Pak javë më parë, u shënua përvjetori i 22 i themelimit të Policisë së Kosovës, ndërsa kjo e fundit është e vetmja në rajon që nuk ka as sigurim shëndetësor as jetësor.

Në mars të këtij viti, kryeministri aktual Albin Kurti prezantoi në Kuvendin e Kosovës, programin qeverisës gjatë mandatit të tij.

Pjesë e programit dhe premtimeve të Kurtit ishin edhe sigurimet shëndetësore e jetësore për zyrtarët policorë, sigurime këto që kanë munguar që nga themelimi i policisë.

“Njëjtë sikurse Policia e Kosovës që na japin neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor, si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme por edhe nën rrezik”, kishte qenë njëra nga pikat e prezantuara nga Kurti në seancën e kuvendit të 22 marsit të këtij viti.

Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet ‘të majmë’ për disa kategori brenda Policisë së Kosovës, si buxhet për blerjen e armëve dhe pajisjeve speciale për Njësitë Speciale, armë për policinë kufitare, buxhet për ndërtimin e objekteve të reja policore, autoblinda, topa uji, limuzina të blinduara e automjete të tjera speciale, para për pajisje të teknologjisë informative, për logjistikë, e të tjera.

Në ndarjen e buxhetit shihet se Qeveria e Kosovës ka shtuar buxhet të ri për vitin e ardhshëm vetëm në dy kategori brenda Policisë së Kosovës, në vlerë prej 743 mijë eurove, ndërsa në kategoritë e tjera janë bartur mjetet financiare të mbetura nga ky vit aktual.

Në të njëjtin buxhet nuk është planifikuar investimi në sigurimin jetësor dhe shëndetësor të zyrtarëve policorë të Kosovës.

Edhe në vitin e ardhshëm Policia e Kosovës nuk do të ketë mundësi të ketë sigurim jetësor dhe shëndetësor.

Sigurimi shëndetësor, jetësor e ai aksidental është njëra nga kërkesat e cila i është bërë çdo qeverisje në Kosovë.

Një kërkesë e tillë vazhdimisht ka hasur në vesh të shurdhër, pasi edhe sot 22 vjet që nga themelimi zyrtarët policorë nuk gëzojnë asnjë lloj të sigurimit për punën që kryejnë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime për ndarjen buxhetore edhe nga ana e Zyrës së Kryeministrit, por deri në publikim të këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Njëjtë kanë vepruar edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës. Drejtuesja e kësaj sindikate Valbona Kamberi, ka thënë se është në pushim shëndetësor.

As Policia e Kosovës nuk ka treguar se kur ka qenë kërkesa e fundit që është bërë për sigurim jetësor e shëndetësor për zyrtarët policorë.

 

22 vjetori e gjeti Policinë e Kosovës me sfida të shumta e të vetmen në rajon pa asnjë sigurim