Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

22 vjetori e gjeti Policinë e Kosovës me sfida të shumta e të vetmen në rajon pa asnjë sigurim

Policia e Kosovës sot ka shënuar 22 vjetorin e themelimit ndërsa problemet brenda këtij institucioni i cili është i thirur të mbaj rend e siguri, janë të shumta e të vjetra.

Sigurimi shëndetësor, jetësor e ai aksidental është njëra nga kërkesat e cila i është bërë çdo qeverisje në Kosovë.

Një kërkesë e tillë vazhdimisht ka hasur në vesh të shurdhër pasi edhe sot 22 vjet që nga themelimi zyrtarët policor nuk gëzojnë asnjë lloj të sigurimit për punën që kryejnë.

Përfaqësuesja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi në një bisedë për KALLXO.com ka treguar sfidat me të cilat përballen zyrtarët policor.

“Këto 22 vite nuk kanë qenë të lehta për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës edhe në aspektin e angazhimit por edhe kushteve të punës. Duke u nis nga ligji i pensionimit të parakohshëm, ligji për sigurime shëndetësore, jetësore dhe aksidentare këto janë kërkesa që i kemi drejtu në secilën qeverisje”, tha Kamberi duke shtuar se misioni i zyrtarëve policor është kryer me vështirësi të mëdha.

Ajo tregon se si Policia e Kosovës është i vetmi institucion në rajon i cili nuk e gëzon, sigurimin shëndetësor, jetësor dhe aksidental.

“Duke u bazuar në punën e përditshme, lëndimet, humbjet e jetëve e edhe sëmundjet tjera që policët i kanë hasur gjatë punës së tyre, ata nuk gëzojnë të drejtën e sigurimit”, thotë Kamberi.

Tutje Kamberi shton se në rast se hyn në fuqi Ligji për pensionimin e parakohshëm nga viti 2023, kjo do të prek më shumë se 3 mijë zyrtarë policor.

“Mosha mesatare në Policinë e Kosovës është 48 vjet dhe është një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policor të cilët pritet të dalin në pension të parakohshëm”, shton tutje Kamberi.

Kamberi përmend edhe sfidën e shkurtimit të buxhetit të Policisë së Kosovës ndër vite.

“Me shkurtimin e buxhetit të Policisë së Kosovës është e pamundur që të kompensohen edhe shtesat e zyrtarëve policor të cilët i meritojnë dhe i kanë më të drejtë ligjore ato kompensime financiare”, tregon Kamberi.

Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit të Policisë së Kosovës, gjatë këtij viti janë ndarë 87 milion euro, vitin e kaluar buxheti ka qenë 69.7 milionë euro, në vitin 2019, 96 milionë euro ndërsa në vitin 2018 buxheti ka qenë 95.3 milionë euro.

Policia e Kosovës sipas statistikave numëron gjithësej 9 mijë e 449 të punësuar.

Një tjetër problem me të cilin priten të përballen zyrtarët policor janë edhe pagesat për orët shtesë pasi të njëjtit janë të ngarkuar për të punuar me orar 12 orësh për të monitoruar nga afër respektimin e masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

“Javën e kaluar jemi takuar me drejtorin e policisë z. Samedin Mehmeti, kemi kërkuar që pjesëtarët të cilët janë të angazhuar në orarin 12 orësh të kompensohen me mjete financiare mirëpo, Policia e Kosovës nuk ka  mjete të mjaftueshme për të kompensuar”, tha Kamberi për KALLXO.com.

Ajo shtoi se me kërkesë të njëjtë i janë drejtuar edhe zyrës së kryeministrit Albin Kurti, Ministrit të Financave dhe Ministrit të MPB-së.

“Në takimin e fundit që kemi pasur me drejtorin na është thënë që buxheti i Policisë së Kosovës këtë vit 33 milion më pak ndërsa sa i përket buxhetit të brendshëm është i pamundur që kjo të bëhet. Ndoshta po mbajmë shpresë së kryeministri dhe ministria do ta marrin një hap  që kërkesën tonë ta realizojnë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës apo nga fondi i përgjithshëm i Kosovës në mënyrë që të mos neglizhohen pjesëtaret e policisë së Kosovës të cilët po punojnë për 12 orë dhe kanë të drejtë që të kompensohen”, tha tutje Kamberi.

Kamberi shtoi edhe se Qeveria e Kosovës i ka borxh Policisë 1 milion euro për punën gjatë vitit të kaluar.

24 zyrtar policor kanë humbur betejën pas infektimit me COVID-19.

Që nga viti 2001, 21 zyrtar policor kanë humbur jetën deri sa ishin në krye të detyrës.