Ministria e Diasporës, Foto: Facebook

Shkeljet e Ministrisë së Diasporës me subvencione më 2019-n

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa shkelje në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në raportin e publikuar për vitin 2019.

ZKA-ja në këtë dikaster ka gjetur mosraportim të subvencioneve të shfrytëzuara nga përfituesit.

Sipas tyre, gjatë testimeve të shtatë mostraven, në gjashtë raste përfituesit nuk kishin raportuar konform kushteve të kontratës.

Më tej, MDIS nuk kishte caktuar zyrtarët përgjegjës për monitorimin dhe implementimin e projekteve.

“Nga shtatë (7) raste, pesë (5) projektet e financuara sipas kontratës ishin paraparë të përfundonin në periudhën qershor-shtator, ndërsa në dy raste projektet do të përfundonin në muajin nëntor 2019”, thuhet në raport.

ZKA thekson se shkaku i mos raportimit nga përfituesit e subvencioneve, ishte mos emërimi i zyrtarëve për monitorim dhe angazhimi i pa mjaftueshëm i sektorit përgjegjës për adresimin e kësaj kërkese te OJQ-të.

Mos emërimi i zyrtarëve për monitorim dhe përcaktimi jo i saktë i afatit për dorëzimin e raporteve nga përfituesit për shfrytëzimin e fondeve, sipas Auditorit, rritë rrezikun që shfrytëzimi i mjeteve të jetë bërë për qëllime tjera.

Në MDIS në raportin për vitin 2019, Auditori ka gjetur edhe raste të mos respektimit të kritereve për subvencionim.

ZKA ka identifikuar mangësitë në disa raste.

Në rastin e mbështetjes financiare në vlerë prej 4,000 euro për projektin “Historia e popullit shqiptarë ndër vite”, përfituesi nuk kishte ofruar si dëshmi numrin fiskal përkatësisht dokumentacionin ekuivalent sipas legjislacionit të shtetit përkatës për OJQ-të e huaja.

Një tjetër rast i evidentuar nga Auditori është mbështetja financiare në vlerë prej 2,100 euro për projektin “Organizimi i garave të kupës në Vjenë”, ku përfituesi nuk kishte ofruar dëshmi se është i regjistruar si OJQ sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asociimit në organizata jo qeveritare në shtetin ku ushtron aktivitetin e saj dhe nuk kishte ofruar dëshminë se posedon numër fiskal.

Për projektin “Kampi rinor për diasporën”, në vlerë prej 2,100 euro dhe projektin “Diaspora 2019 – Skënderaj”, në vlerë prej 2,000 euro, sipas ZKA-së, në të dy rastet OJQ–të vendore, para nënshkrimit të kontratës, nuk kishin ofruar vërtetimin e lëshuar nga Gjykata Themelore se menaxherët përgjegjës nuk janë nën hetime për vepër penale, dhe njëra OJQ nuk kishte ofruar dëshmi apo vërtetimin për të dëshmuar se nuk ka borxhe ndaj ATK-së.

ZKA në tri rastet e ekzaminuara të mbështetjes financiare për projekte për përfituesit individual, ka identifikuar mangësitë në këto raste: Mbështetja e financiare në vlerë prej 2,100€ për projektin “Turniri memorial i futbollit 9 nëntori’ vendi i realizimit Roneby-Suedi; Mbështetja e financiare në vlerë prej 2,000€ për projektin “Nxitja dhe informimi i bashkatdhetarëve për investime ne Kosovë” vendi i realizimit Gjermani dhe Çeki; dhe Mbështetja e financiare në vlerë prej 2,100€ për projektin “Çiklizmi malor për t’i njohur vlerat e Kosovës” vendi i realizmit në rajonin e Shalës së Bajgorës.

Sipas ZKA-së, përfituesit në të tri rastet nuk kanë ofruar vërtetimin apo deklaratën nga Gjykata Themelore se nuk janë nën hetime, ku pas përzgjedhjes se përfituesve, kërkohet origjinali jo më i vjetër se 6 muaj.

“Kjo kishte ndodhur si arsye e neglizhencës dhe pa përgjegjësisë nga ana Komisionit vlerësues për t`u siguruar se procesi i përzgjedhjes se aplikantëve ishte zhvilluar në pajtueshmëri me kërkesat e thirrjes publike”, thuhet në raport.

Në Qeverinë aktuale në detyrë, Ministria e Diasporës është përfshirë në atë të Punëve të Jashmte.