Ndertesa e Komunes se Pejes, Photo: Atdhe Mulla.

Borxhi ndaj Komunës së Pejës u rrit mbi 1 milion e 600 mijë euro më 2022

Në vitin 2022 borxhi ndaj Komunës së Pejës u rrit për 1 milion e 681 mijë e 237 euro.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2022.

“Llogaritë e arkëtueshme në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 kishin rritje për 2,478,658€, veçanërisht të ndërmarrjet shoqërore (tatimi në pronë), ku borxhi ka vlerën prej 1,681,237€”- thuhet në raportin e auditorit.

Aty është shpjeguar se kjo gjendje ka ndodhur si pasojë që komuna nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme që përmes organeve të drejtësisë të zvogëlojë borxhin e pa mbledhur nga klientët.

“Gjatë testimit të 17 rasteve, kemi evidentuar se komuna nuk kishte bërë përpjekje të mjaftueshme për inkasimin e mjeteve të pa arkëtuara nga tatimi në pronë, qiratë nga toka, dyqanet, tregjet apo taksat në firmë, duke mos dërguar letërkujtesa dhe duke mos iniciuar rastet në procedura përmbarimore”- thuhet në raport.

Sipas auditorit, trendi i rritjes së llogarive të arkëtueshme nga viti i kaluar është edhe me i lartë, dhe sipas tyre, rrjedhimisht kjo situatë po përsëritet ndër vite.

Auditori ka theksuar edhe pasojat që sjellë një gjë e tillë duke shpjeguar se mos angazhimi dhe mos ndërmarrja e veprimeve për arkëtimin e të hyrave, ndikon në dëmtimin e buxhetit të komunës.

“Ky mos veprimi ndikon në përkeqësimin e performancës së inkasimit të këtyre llogarive dhe nga ana tjetër ndikohet trendi negativ i rritjes vit pas viti duke rrezikuar vjetrimin e llogarive të arketueshme”- ka thënë auditori.

Me këtë rast, auditori ka dhënë edhe rekomandim për këtë situatë duke potencuar se kryetari duhet të sigurojë efikasitet më të lartë në arkëtimin e llogarive të arkëtueshme.

“Hartimi dhe aplikimi i programeve dhe procedurave të qarta për mënyrën e menaxhimit, regjistrimit dhe arkëtimit të tyre, do të ishin disa nga masat që mund të sjellin përmirësime”- thuhet në raport.

Tutje është bërë e ditur se menaxhmenti i Komunës së Pejës është pajtuar me këtë gjetje

Sipas ZKA-së, raporti i auditimit për PFV-të vitit 2021 ka rezultuar me 14 rekomandime.

Ndërkaq, sipas tyre, deri në fund të auditimit për vitin 2022, nëntë rekomandime janë zbatuar dhe katër rekomandime nuk janë adresuar ende, gjersa një rekomandim nuk është i aplikueshëm më.