Auditorja e Përgjithshme: Në 2022 janë paguar 129 punëtorë të komunitetit serb pa punuar, vlera rreth 800 mijë euro

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se në vitin 2022, 129 punëtorë të komunitetit serb janë paguar pa punuar fare, në 4 ministri të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Spanca ka thënë se vlera e pagesave për këta punëtorë ka qenë afër 800 mijë euro.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej afër 800 mijë euro për punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit, pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në krahasim më vitin e kaluar janë ndërmarrë disa masa. Nga 199 sa ishin në vitin paraprak, në vitin 2022 kanë mbetur 129 punonjës të shpërndarë në 4 ministri, dy ministri veçse kanë marrë masa për akomodimin apo largimin apo ndaljen e pagesave për punonjës që nuk e vijojnë punën” – ka thënë para deputetëve Spanca.

Ajo po ashtu ka thënë se për vitin 2022, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka arritur që të kryejë auditimin e pasqyrave financaire në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Por çështja e pagesës së punëtorëve pa u evidentuar në punë, nxiti përplasje në mes ministrit Hekuran Murati dhe deputetëve të opozitës.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se të njëjtën pyetje ia kishte bërë ministrit Murati edhe vitin e kaluar, për pagesën pa shkuar në punë.

“Me sa kujtohet vitin e kaluar i kam bërë po të njëjtën pyetje, të njëjtit ministër të njëjtën pyetje për punonjësit e komunitetit serb dhe tash po bëhen tre vite që ju nuk keni ndërmarrë ndonjë masë. Dhe pikërisht atëherë ka qenë kur ju keni qenë në raportim, keni thënë që qeveritë e kaluara i kanë fajet. Mirë që tre vite jeni në qeverisje dhe nuk e di pse nuk e keni zbatu këtë vendim” – ka thënë deputetja Bytyqi.

Ndërsa ministri Murati u përgjigj duke thënë se kjo çështje është gjetur në disa prej organizatave buxhetore. Ai tha se ka edhe deputetë që paguhen, pa shkuar në Kuvend.

“Siç e theksova, çështja e stafit të angazhuar sipas Marrëveshjes së Brukselit është e gjetur e cila rezulton në disa prej organizatave buxhetore, jo për Ministrinë e Financave. Ngjashëm do të iu pyes, sa kushtojnë deputetët që marrin pagë pa ardhë asnjë ditë në punë. Pra si Kuvend këtë përgjegjësi mund ta zbatoni. Pra përmes ligjvënies ta ndryshoni këtë situatë. Sepse Qeveria nuk ka kompetencë” – ka thënë Murati.

Kurse kryesuesja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga LDK tha se ministri po i krahason deputetët e Kuvendit, me organizata që janë shpallur terroriste.

“Për dy herë po i krahason deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me pjesëtarë të organizatave terroriste të cilat Qeveria i ka shpallur, me vendim. Kjo nuk është korrekte, siç e dini ekziston një legjislacion” – tha Bajrami.

Gjatë raportimit para deputetëve, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se në bazë të auditimit të buxhetit të vitit 2022, borxhi shtetëror në fund të atij viti ka qenë në vlerë prej 1 miliardë e 753 milionë euro, apo 20% e bruto produktit vendor. Në raport me vitin paraprak, sipas saj, borxhi i përgjithshëm ka shënuar rritje për 4%.

“Shpenzimet për vitin 2022 ishte realizuar në vlerë 2.6 miliard € apo 83% e buxhetit final. Krahasuar me vitin 2021 kishte rritje të shpenzimeve për 10%. Nivelin më të ulët e kishin shpenzimet për investime kapitale që ishin realizuar vetëm 60% e buxhetit final” – ka thënë Spanca para deputetëve.