Foto: KALLXO.com

Auditori: 33 nga 38 pacientë nuk kanë ofruar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore

Mbi 86% të pacientëve me raste të rregullta ose jo-urgjente që janë subvencionuar nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike nuk kanë dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar, pasi që e kanë kryer atë.

raportin e auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2022 të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se 33 nga 38 mostrat e testuara, nuk i kanë ofruar këto dëshmi.

Sipas Udhëzimit Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, pas përfundimit të procedurave, përfituesit e këtij programi, obligohen që pas trajtimit, të sjellin faturat e shpenzimeve të mjekimit nga institucioni gjegjës.

“Vlera financiare për rastet të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit është 446 mijë e 429 euro” – thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Kjo gjetje, sipas ZKA-së po përsëritet vit pas viti në raportet e auditimit.

Mosofrimi i këtyre dëshmive, siç thuhet në raport shkakton vështirësi në menaxhimin e shpenzimeve dhe rrezikon arritjen e qëllimit të synuar për këto shpenzime.

Rekomandimi i Auditorit është që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Fondit të krijojnë mekanizma efektivë për të siguruar që palët përfituese janë duke i respektuar detyrimet për arsyeshmërinë e plotë të shpenzimeve të subvencionuara, pasi që tani mungon një mekanizëm që i obligon pacientët të arsyetojnë plotësisht shpenzimet.

Sipas raportit, me këtë gjetje është pajtuar edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.