Foto: MPJD

ZKA: MPJD nuk i paraqiti në raportin vjetor kontratën për blerje të objektit të Ambasadës në SHBA dhe të një veture në Londër

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA ka gjetur se kontrata për blerjen e objektit të Ambasadës së Kosovës në SHBA dhe blerja e veturës në Angli nuk kanë qenë në shënuara në raportin përmbledhës vjetor të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Në raportin për vitin 2022, Auditori sqaron se në fund të vitit autoritetet kontraktuese do të hartojnë një raport përmbledhës vjetor për çdo kontratë publike, që është nënshkruar në vitin fiskal paraprak.

“Në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike për vitin 2022, nuk ishin paraqitur kontratat për blerjen e ambasadës në SHBA në vlerë 4,463,860€, dhe për blerjen e veturës për ambasadën në Angli në vlerë 50,463€”- thuhet në raport.

Po ashtu auditori ka konstatuar se në MPJD ka pasur planifikim të dobët të procesurave në prokurimit.

“Në 32 procedura të planifikuara të prokurimit, 13 prej tyre nuk ishin realizuar, ndërsa 15 procedura ishin realizuar jashtë planit të prokurimit për të cilat ishte njoftuar edhe Agjencioni Qendror i Prokurimit, (shumica prej tyre ishin në vlerë minimale), që tregon për një planifikim të dobët”- thuhet tutje në raport.

Tutje Auditori sqaron se sipas menaxheres së prokurimit arsyeja e mos paraqitjes së kontratave të nënshkruara nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore kanë të bëjnë me probleme teknike pasi që procedurat e MDK-ve nuk kryhen përmes sistemit të e-prokurimit dhe nuk mund të gjenerohet raporti përmbledhës.

Sipas Auditorit mos paraqitja e aktiviteteve të prokurimit në raportin e kontratave të nënshkruara nuk pasqyron një gjendje reale të tyre, po ashtu mungesa e një planifikimi të mirë të nevojave ka sjellur në prokurime në procedura të prokurimeve me vlerë minimale e cila mund të ndikoj në arritjen e qëllimeve të ministrisë.

Auditori poashtu ka dhënë një rekomandim për Ministrinë e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga Donika Gërvalla.

“Ministrja përmes menaxheres së prokurimit duhet të siguroj që të gjitha kontratat të jenë pjesë e raportit vjetor duke bashkëpunuar edhe me KRPP për të parë mundësinë që kjo të bëhet përmes sistemit e-prokurimi. Po ashtu, duhet të siguroj një planifikim më të mirë të prokurimit bazuar në nevojat për të eliminuar prokurimet jashtë planit”- thuhet në rekomandim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje më 7 korrik në MPJD për të marrë përgjigje lidhur me këtë gjetje të Auditorit, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Pas dërgimit të pyetjeve, KALLXO.com ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Qëndresa Fazliu, zyrtare për Media në këtë ministri, por e njëjta nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të KALLXO.com.

Ndërkaq, me këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), theksohet në raportin e ZKA-së.

Në mars të vitit 2022, kabineti qeveritar pati ndarë paratë për blerjen e objektit të Ambasadës në SHBA dhe Londër.

Nis procesi i blerjes së objekteve të ambasadave të Kosovës në Uashington dhe Londër