Departamenti Amerikan i Shtetit - Foto: REL
SHBA-ja thotë se Izraeli e Libani pajtohen për më shumë bisedime paqeje
Luftimet po vazhdojnë në Libanin jugor ndërmjet Izraelit dhe militantëve të “Hezbollahut” të mbështetur nga Irani, edhe pse diplomatët izraelitë dhe libanezë u takuan në Uashington. Lufta në Liban ka kërcënuar të minojë armëpushimin SHBA-Iran, raporton gazeta “The New York Times”.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të “nisin negociata të drejtpërdrejta” për t’i dhënë fund luftimeve ndërmjet Izraelit dhe “Hezbollahut” në Liban, një konflikt që ka kërcënuar të përmbysë armëpushimin e brishtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Njoftimi është dhënë pasi ambasadorët e Libanit dhe Izraelit u takuan kokë më kokë në Uashington, së bashku me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Ndërsa takimi nuk u konsiderua si bisedime të nivelit të lartë, ishte i rëndësishëm sepse Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Por nuk ishte e qartë nëse ndonjë marrëveshje midis qeverive të Libanit dhe Izraelit do t’i jepte fund në të vërtetë luftimeve aktuale, sepse “Hezbollahu” nuk mori pjesë në bisedime.
Qeveria libaneze nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi “Hezbollahun”, i cili është si milici e lidhur me Iranin, si dhe parti politike. Kjo e bën çdo zgjidhje diplomatike midis Izraelit dhe Libanit të vështirë për t’u zbatuar.
Konflikti është një nga tre pikat kryesore të mosmarrëveshjes në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Pikat e tjera të ngërçit janë statusi i programit bërthamor të Iranit dhe kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, pikë kyçe në tregtinë ndërkombëtare të energjisë.
Në Ngushticën e Hormuzit, statusi i bllokadës së Marinës amerikane mbeti i pasigurt të martën. Presidenti Trump njoftoi masën për ndërprerjen e të ardhurave e Iranit nga nafta, pasi negociatat e nivelit të lartë SHBA-Iran u ndërprenë në Pakistan gjatë fundjavës. Trump i i ka thënë “The New York Postit” se bisedime të reja mund të zhvillohen gjatë dy ditëve të ardhshme në Pakistan.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com