
Kandidati i LDK-së për deputet, Ardian Shala. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Shala (LDK): Në Listën e barnave esenciale do ta përfshijmë edhe terapinë hormonale
Kandidati për Deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ardian Shala, në “Debat Përnime”, ka folur për Listën esenciale të barnave. Nëse LDK rikthehet në pushtet, sipas tij, pjesë e kësaj liste do të jenë shumë kategori.
“Sa i përket Listës esenciale, ne kemi menduar për shumë kategori.” – ka thënë Shala, më 21.01.2025.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që pjesë e Listës se barnave esenciale të jetë edhe terapia hormonale, e cila ka qenë kërkesë e komunitetit LGBT+ më herët.
“Dhe pse jo, të përfshijmë edhe shumë kategori të tjera që i përmendet: terapia hormonale, sepse kjo ka qenë diskutim i madh edhe më herët dhe ne do të bëjmë çmos që këtyre njerëzve që kanë nevojë të jashtëzakonshme t’ua sigurojmë terapinë e duhur. Pra me pagesë, me mbulim nga shteti.” – tha Shala.
Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.
Ndërsa Izet Sadiku, njëherësh Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, e tani kandidat për Deputet, tregoi telashet që kanë pasur me sigurimin e barnave esenciale, ndonëse sipas tij, ky obligim i takon Ministrisë së Shëndetësisë.
“Po ju tregoj se në Prishtinë as 50% s’e kanë mbulu asnjë vit dhe ne detyrohemi 500 mijë euro (me i paguar)… Kur e ndajmë buxhetin, e qojmë në Ministri të Financave. Na thonë pse po ndani për barna, se ua blen Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo ne detyrohemi, sepse qytetari kur shkon me marrë shërbimin, ai nuk e di a është e drejt e Përparim Ramës apo e Arben Vitisë. Dhe, ne jemi munduar mbi 90% të kësaj liste ta mbulojë me shpenzimet tona.” – ka thënë Sadiku.
Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër tjera, Xharra.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim: