
Kandidatët e LDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Rritje të buxhetit, Qendër të re Spitalore dhe funksionalizim të SISH-it: Zotimet e LDK-së për Shëndetësinë
Ndërtimi i Spitalit të Ri në vlerë prej 500 milionë euro, krijimi i kushteve që mjekët të mos ikin nga Kosova, funksionalizimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, si dhe respektimi i Ligjit për Duhanin janë vetëm disa prej zotimeve që tre kandidatë të LDK-së janë zotuar se do të përmbushin në rast se partia e tyre rikthehet në pushtet, pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Me profesion mjekë, tre kandidatë për deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë zotuar se nëse partia e tyre i fiton Zgjedhjet parlamentare do ta rrisin buxhetin për Shëndetësinë në 5%, do ta ndërtojnë Qendrën e Re Spitalore dhe do ta ndajnë menaxhmentin e Spitaleve nga Stafi shëndetësor.
Këto tri zotime janë vetëm disa prej atyre që i shpërfaqën këta tre kandidatë në “Debat Përnime”, më 21.01.2025. Në qëllimet e tyre hynë edhe zgjerimi i Listës së Barnave Esenciale, investimet disamilionëshe në aparatura, funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si dhe ndalimi i ikjes së mjekëve nga Kosova – duke ua rritur pagat e duke iu krijuar mundësi të menjëhershme punësimi, atyre që i përfundojnë studimet.
Në krye me ekonomistin, Lumir Abdixhiku, të cilin LDK-ja e ka kandidat për Kryeministër, ata besojnë se do të arrijnë të bëjnë ndryshime rrënjësore në Sistemin Shëndetësor – duke mos i kursyer akuzat se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti nuk ka bërë mjaftueshëm për katër vjetët që shkuan.
LDK që synon rikthimin në pushtet, që nga përfundimi i luftës 1998/1999, është partia e cila më së shumti ka qenë në krye të Qeverisë – krahasuar me partitë e tjera.
Spitali i Ri dhe planet e tjera të LDK-së
Me profesion infektolog, Izet Sadiku tash e disa vite udhëheq Drejtorinë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës. Por, tashmë si i përfshirë në Zgjedhjet e reja parlamentare ai synon të bëhet Deputet në Kuvendin e Kosovës.
Sadiku shpërfaqi prioritetet e tij në emër të partisë për sektorin e Shëndetësisë – duke u nisur nga çështja kryesore, rritja e buxhetit në 5% të GDP-së, nga 3.3% sa është tani.
Mirëpo, projekti më i madh që ka shtruar para vetes kjo parti politike është ndërtimi i Qendrës së re Spitalore në Prishtinë në vend të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), për të cilin ende nuk kanë vendosur për lokacionin se ku saktësisht.
“Ndërtimi i kësaj Qendre do të bëhet në mandatin e parë dhe gradualisht derisa të bëhet Qendra e re Spitalore do të funksionojë Qendra e vjetër, që është tani (QKUK).” – tha Sadiku.
Kurse për pronën aktuale në të cilën është vendosur QKUK, Sadiku tha se do të shfrytëzohet si pronë publike ku ndërtohen hapësira kulturore ose ndonjë Kampus i Shkollave.
Ndërtimi i Qendrës së Re ka qenë një ndër zotimet kryesore e para që ka shpërfaqur Lumir Abdixhiku, ende pa nisur fushata.
Ky projekt është llogaritur të ketë një kosto prej 500 milionë euro.
Një çështje që ndërlidhet me këtë është ndarja e menaxhimit të institucioneve shëndetësore nga sektori i Shëndetësisë.
Sadiku tha se do të analizojnë mundësinë e angazhimit të një Kompanie që menaxhon Spitalet, në mënyrë që të largohet politika nga menaxhimi i institucioneve shëndetësore.
Kandidati tjetër për Deputet, Ardian Shala, me profesion kardiolog, konsideron se problemet, siç është mungesa e barnave, kanë lindur pikërisht si pasojë e keqmenaxhimit.
“Unë punoj në Spitalin e Prizrenit dhe kam raste kur për një katetër urinar, pacientët në gjysmënate detyrohen të bredhin barnatoreve, sepse nuk ka. Kjo është pjesa e keqmenaxhimit.” – tha Shala.
Për këtë arsye, ai thotë se duhet të kontraktohen Kompani, pasi që “pa dashur t’i nënçmojë mjekët” beson se ata janë profesionistë të aspektit shëndetësor, ndërsa në pjesën e menaxhimit “kanë çalime”.
Çështje tjetër që është proklamuar në vazhdimësi nga LDK-ja, por edhe nga partitë e tjera është funksionalizimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore. Edhe pse ka qenë premtim ndër vite, një gjë e tillë ende nuk është jetësuar, në mënyrë që t’u lehtësohet jeta qytetarëve, e sidomos atyre që kanë nevojë për mjekim jashtë vendit.
Ai tha se sigurimet shëndetësore mendojnë t’i fillojnë në vitin e parë, me përgatitjen e dokumentacionit dhe të legjislacionit.
“Me Ligj 3.5% i jep punëmarrësi dhe 3.5% i jep punëdhënësi. Shuma që mendohet të krijohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është diku 140 milionë euro.” – tha ai.
Vitin e parë të qeverisjes, Sadiku tha se planifikojnë që Qeveria ta rimbursojë Fondin me 140 milionë euro, me qëllim që Fondi të fillojë të ofrojë shërbime qysh në vitin e parë “para se të fillojë grumbullimi”.
Kurse kandidati Ardian Shala, me profesion kardiolog, tha se me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, nëse nuk ka mundësi që mbulimin e shpenzimeve ta bëjë sektori publik, plani është që atë ta bëjë ai privat.
“Njerëzit që kërkojnë lëmoshë për trajtim jashtë vendit, kjo zgjidhet me Fondin për Sigurime Shëndetësore, që nëse nuk ka mundësi sektori publik, atëherë i bën ai privat. Gjithsesi këto shërbime do t’i mbulojë Fondi i Shërbimeve Shëndetësore, i cili është jetik.” – tha ai.
Zgjidhjet për listat e pritjes dhe Listën e barnave esenciale
Pacientët e Kosovës nuk kanë qasje në 88 lloje të barnave të Listës esenciale, të cilat shteti e ka për obligim që t’i sigurojë. Mungesa e dokumentit që e garanton cilësinë e barnave, e që quhet Autorizim Marketingu, ka pamundësuar furnizimin me këto lloje barnash në institucione publike shëndetësore.
Izet Sadiku fajëson ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se arsyetimi i tyre është që 70% është mbulueshmëria e Listës esenciale, e që sipas tij, Ministria e ka obligim me Ligj që ta mbulojë 100%.
“Po ju tregoj se në Prishtinë as 50% s’e kanë mbulu asnjë vit dhe ne detyrohemi (të paguajmë) 500 mijë euro. Kur e ndajmë buxhetin, e çojmë në Ministri të Financave. Na thonë: ‘Pse po ndani për barna, sepse ua blen Ministria e Shëndetësisë?’. Mirëpo, ne detyrohemi, se qytetari kur shkon me marrë shërbimin atje, ai nuk e di a është e drejtë e Përparim Ramës apo e Arben Vitisë.” – tha Sadiku nga këndi i Drejtorit të Shëndetësisë.
Sipas tij, të gjitha Komunat e kanë këtë problem, pasi nuk furnizohen mjaftueshëm me barna nga Ministria e Shëndetësisë.
Se a do ta vendosin terapinë hormonale për personat LGBTQ+ në Listën esenciale të barnave, Ardian Shala tha se e kanë në plan të përfshijnë kategorinë e moshës së shtyrë, por nuk e përjashtojnë mundësinë edhe për kategori të tjera.
“Dhe pse jo, të përfshijmë edhe shumë kategori të tjera që i përmendet (komuniteti LGBTQ+). Terapia hormonale – kjo ka qenë diskutim i madh edhe më herët dhe ne do të bëjmë çmos që këtyre njerëzve që kanë nevojë të jashtëzakonshme t’ua sigurojmë një terapi të duhur. Pra me pagesë, me mbulim nga shteti.” – tha ai.
Edhe për Listën e barnave esenciale si zgjidhje ata ofruan funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Në lidhje me përcaktimin e çmimit të barnave, kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, me profesion onkolog, thotë se është pro që të jetë i përcaktuar çmimi i tyre, e jo në bazë të nevojave të tregut.
“Janë dashtë 12 orë që me dalë që ka qenë propagandë e Ministrit, ku gazetari del live. E merr një ilaç që e prezanton si çmim, që nuk ka qenë real si i prezantuar nga politikëbërësit.” – tha ai.
Sipas tij, për të bërë përcaktimin e çmimit, duhet partnerët të jenë njohës të mirë të tregut vendas e botëror dhe të merren çmime referente.
“Jam i sigurt që ka me u rregullu edhe çmimi i barnave. Kanë me kushtu ma lirë dhe ka me qenë disponueshmëria e barnave më e lartë.” – tha ai.
Qytetarët e Kosovës detyrohen të presin me muaj e deri në vite, për t’u operuar për shkak të listave të gjata të pritjes në Spitale publike.
Gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2024 shpërfaqën fotografi të fletoreve dhe të shënimeve, në të cilat regjistrohen pacientët nëpër lista të pritjeve. Disa prej të cilave janë të gjata deri në katër vjet në QKUK. Një prej faktorëve kontribues në rritjen e numrit të pacientëve në lista të pritjes është evidentuar të jetë mungesa e ekspertizës së mjekëve në fusha të caktuara – duke ngarkuar QKUK-në, si Qendër referente.
Kandidati Ekrem Hyseni, duke u nisur nga përvojat që ka, tha se disa Klinika e kanë listën e pritjes më të gjatë.
“Nëse flasim për listën e pritjes për ndërrimin e protezave keni të drejtë…” – u përgjigj ai.
Kurse, Ardian Shala premtoi se këto lista do të tkurren përmes investimeve mbi 100 milionë euroshe në aparatura të ndryshme spitalore.
Duke i përkitur sferës së Kardiologjisë, Shala tha se vetëm në sektorin e tij, pacientët presin për intervenime në arterie koronare mbi një vjet.
“Është e dhimbshme nëse një familjar i dikujt pëson diçka të papritur, që nuk kemi dëshirë ta themi, e ne të mos jemi të zotë ta zbresim këtë listë të pritjes të paktën në një javë, ose me heq fare.” – tha ai.
Sipas tij, kuadrot dhe mundësitë ekzistojnë.
“Ne nuk duhet ta shohim sektorin privat si kundërshtar, por si partner. Sepse, fundi i fundit është një Sistem i cili edhe me Sistemin Informativ Shëndetësor (SISH) do të rregullohet.” – tha ai.
Ekrem Hyseni tha se do ta funksionalizojnë SISH-in që të jetë i mundur edhe implementimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Funksionalizimi i plotë i Sistemit Informativ Shëndetësor dhe sigurimeve shëndetësore, si dy prej elementeve kyçe në Shëndetësi vazhdojnë të mbesin vetëm premtime të dhëna ndër vite nga Qeveri të ndryshme për më shumë se një dekadë.
Hyseni tha se përmes SISH-it e me “work stacion” puna do të jetë e matshme dhe për secilin do të nxirren rezultatet e punës, por njëkohësisht edhe mospuna.
Parandalimi i ikjes së mjekëve
LDK-ja beson që përmes rritjes së pagave, përmirësimit të kushteve dhe sigurimit të vendeve të punës, deri diku mund të arrijnë të ndalojnë mjekët që të mos largohen nga Kosova në drejtim të shteteve perëndimore.
Ekrem Hyseni, duke e quajtur këtë punë të thjeshtë, thotë se “nëse do me i mbajt mjekët në Kosovë nuk mundesh me i lidh, por e vetmja lidhje që mundesh me i ba është me ia rrit pagën dhe me ia përmisu kushtet e punës”.
“Ja siguron një mjeku të ri pas studimeve që ka me fillu punë në gjashtë muajt e parë dhe e dyta, specializimi në dy vjetët e para pas përfundimit të studimeve me financim nga shteti. Këto i kemi në Program. Pa kushte ikin edhe mjekët gjermanë në Norvegji.” – thotë ai, duke shtuar se këto janë pjesë e Programit të tyre.
Megjithatë, ai thotë se nuk mjafton koeficienti në 150 euro, por rritja do ta vazhdojë njëherazi me rritjen ekonomike.
“Deri diku është e dinjitetshme (paga me rritje), por nuk them kurrë që është e mjaftueshme as për bujkun, as për mjekun e as për inxhinierin. Por duhet me ba mundësi, me i adaptu këto kushte për me i trajtu me kushte të dinjitetshme dhe me i josh me qëndru (mjekët).” – thotë ai.
Ndërkaq, Ardian Shala e sheh si zgjidhje që mjekët e ri të punojnë në Kosovë e të mos largohen, që sapo ta përfundojnë diplomimin të punësohen në Qendra të Mjekësisë Familjare, që e kanë edhe si kusht stazh për specializim.
Duke paraqitur shifra, Shala tha se vetëm në vitin 2024, 106 mjekë e kanë lëshuar Kosovën, ndërsa për pesë vjetët e fundit mbi 600. Ai tha se rritjen e pagave do ta bëjnë qysh në javën e parë.
Për studentët që kanë përfunduar Mjekësinë, Shala thotë se kanë planifikuar të krijojnë menjëherë kushte punësimi për ta. Dhe, posa ta përfundojnë punësimin, të krijohet sistemi për specializime.
“Për shkak të mungesës të anesteziologëve shumë operime sot presin. Për shembull në Kirurgjinë Vaskulare presin tri vjet për operim. Dhe për atë është gjithmonë arsyetimi që nuk ka anesteziologë.” – tha ai.
Ndërkaq zgjidhja që ofroi Izet Sadiku është që të forcohen Spitalet regjionale.
“Më herët Kirurgjia në Mitrovicë ka qenë më e fortë se në Prishtinë. Pulmologjia në Pejë ka qenë më e fortë se në Prishtinë. Tu i forcu Spitalet regjionale edhe bëjmë zhvillim ekonomik, edhe distribuojmë punëtorët atje.” – tha ai.
Kritikat për rinovimet në QKUK
Kandidati Ekrem Hyseni kritikoi rinovimet që janë bërë gjatë këtij mandati në QKUK – duke premtuar ndërtimin e Spitaleve të tjera.
Ai premtoi që brenda mandatit do ta funksionalizojnë plotësisht Spitalin e Ferizajit.
“Le të me thotë dikush që është rinovu Gjinokologjia dhe ndonjë lehonë duhet me udhëtu 40 metra, për me shku në banjo. Le të më thotë që është rezultat i mirë dhe unë po e pranoj.” – tha Hyseni.
Sipas tij, ardhja e VV-së në pushtet me suficit buxhetor në Shëndetësi dhe me vendimmarrje 100% e ta cilësojnë sukses të madh është nonsens.
“Pse dështoi Qendra Emergjente që ka mbet sot vetëm në tulla. Aty, vetëm për informatë, kanë dështuar 6.6 milionë euro vetëm vitin 2024 dhe kanë kaluar në suficit? Ndërtimi i institucionit në Shtime 2.6 milionë suficit. Kush e ka ndalë? Cila ka qenë pengesa e Qeverisë?” – pyeti Hyseni.
Sipas tij ka pasur një menaxhim të dobët të parasë publike gjatë qeverisjes Kurti – duke e quajtur mashtrim të madh premtimin e LVV-së për Spitalin e Podujevës.
Sipas tij, të gjitha rinovimet të udhëhequra nga Ministria e Shëndetësisë janë shumë herë me të shtrenjta në të njëjtin institucion – krahasuar me rinovimet e udhëhequra nga SHSKUK.
“Merre çmimoren e Kontratës së rinovimit të Emergjencës dhe Gjinekologjisë, d.m.th. Ministria e Shëndetësisë e ka menaxhuar rinovimin e Gjinokologjisë. Ndërsa, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) e ka menaxhuar rinovimin e Emergjencës.” – tha ai.
Hyseni thotë se shumë prej shërbimeve shëndetësore që merren në institucione private dhe në institucione jashtë Kosovës janë shërbime që kryhen edhe në QKUK, ose në Spitale regjionale. Por, sipas tij, humbja e besimit në institucione publike është “defekti i madh”.
Ai përmend një rast, të cilin e cilëson edhe si dezinformatë, e që pretendon se është “shërbyer nga vetë kryeministri [Kurti]”, ku është thënë se në vitin 2016 furnizimi (me citostatikë) ka qenë 30%, për sa kohë që Raporti zyrtar i SHSKUK-së ka thënë se është 86%. “Kjo është një nga arsyet që unë e them që nuk duhet të jetë metodologji e punës propaganda.” – thotë ai.
Gjatë vitit 2024 në QKUK janë rinovuar disa Klinika – përfshirë ajo e Gjinekologjisë, Radiologjisë, Oftamologjisë, Onkologjisë, Klinika Emergjente dhe Kardiokirurgjia.
Ndër të tjera, Ekrem Hyseni përmendi edhe ish-ministrin Rifat Latifi që drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, kur ministri Arben Vitia kandidoi për Kryetar të Prishtinës.
Për Latifin ai zgjodhi fjalët më të mira, e për të cilin tha se flet me shumë respekt, sepse ka dëshmuar se do që Kosova të bëhet më mirë.
“Rifat Latifi nuk u gjet në ambient pune në Ministrinë e Shëndetësisë. Ka deklaru që ka pasë ambient toksik pune, që i bie, nga pozitat menaxheriale ai nuk ka mundur me i zbatu politikat shëndetësore për të cilat ka ardhur. As vizionin e tij si një profesionist i përgatitur.” – tha Hyseni.
Për mungesën e inspektimit, Hyseni tha se qysh në muajin e parë do të bëhet inspektimi për mbikëqyrjen e nivelit të pastërtisë.
“Ne do t’i zbatojmë Rekomandimet e tyre (Inspektoriatit), sepse nuk kemi mekanizëm tjetër qysh me e përmirësua Sistemin.” – tha ai.
Ndërsa për Ligjin për Duhanin, ai tha se qysh në gjashtëmujorin e parë, së bashku me Komunat, do të bëjnë një plan për të filluar ndërprerjen e pirjes se duhanit në hapësira publike.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.
Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.
Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.
“Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.