Rrahjet dhe përplasjet më të famshme në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës është vendi ku përfaqësuesit e qytetarëve duhet të shqyrtojnë e miratojnë ligje të ndryshme në të mirën e tyre. Por, ky institucion shumë herë është shndërruar në arenë përplasjesh verbale e fizike mes ligjvënësve.

E njëjta gjë ndodhi edhe në seancën e sotme të Kuvendit, ku pati një përplasje mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë diskutimeve për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Paraprakisht, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është ngritur në këmbë dhe ka polemizuar me deputeten nga radhët e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.


Pak kohë më vonë pasoi grumbullimi i deputetëve dhe diskutimet e ashpra, përplasjet fizike mes tyre, të cilat bënë që të shkohet në pauzë.

Pas këtij incidenti pati shumë reagime. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka quajtur të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e disa deputetëve të Kuvendit, gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Hoti theksoi se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, për të cilën thotë se kjo çështje është “shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga institucionet e Kosovës”.

Përderisa Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që monitoron punën e Kuvendit, kërkoi që të ndërmerren masa diciplinore ndaj deputetëve me sjellje joparlamnetare.

“KDI dënon sjelljet jo parlamentare në seancën e sotme, gjegjësisht konfrontimet verbale mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së gjatë interpelancës e cila shtjellonte një temë aq të ndjeshme për qytetarin e Kosovës siç është çështja e të pagjeturve”, u tha në këtë reagim.

Sipas KDI-së, përveç se janë të papranueshme, këto sjellje cenojnë vlerat themelore të demokracisë të cilat do të duhej t’i promovonte Kuvendi si organi më i lartë përfaqësues në vend.

“Ne ia rikujtojmë Kuvendit se ai duhet të shërbejë si arenë e diskutimeve përmbajtësore drejt gjetjes së zgjidhjeve të problemeve të qytetarëve, e jo hapësirë që promovon sjellje e gjuhë joparlamentare që nuk gjenerojnë asgjë tjetër përveç se polarizim të mëtejmë shoqëror dhe thellim të krizës politike”, thuhej në reagim.

Ofendimet e rrahjet ndër vite mes deputetëve

Skenat e rrahjeve mes deputetëve janë raportuar ndër vite nga Kuvendi i Kosovës, jo vetëm gjatë seancave, por edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Këtë verë, në seancën e Kuvendit më 10 korrik, deputeti i LDK-së Xhavit Ukaj i ishte vërsulur kryetares së Kuvendit,  Vjosa Osmani.

Gjatë kohës sa Osmani po i jepte fjalën deputetes Ganimete Musliu, në këtë debat ka ndërhyrë deputeti Xhavit Ukaj nga LDK.

Osmani i ka replikuar deputetit duke i thënë “A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që më së shumti e keni përdorur për 52 ditë fjalën “paranojak”. Ulu ose kërkoj prej sigurimit me të qitë jashtë”, ka thënë Osmani.

Pas fjalës së Osmanit, deputeti Ukaj ka vazhduar përplasjen e tij me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas kësaj, deputeti i është afruar deri tek ulësja kryetares së Kuvendit duke iu vërsulur.

Te foltorja janë mbledhur një numër i madh i deputetëve duke tentuar që të ndalojnë përplasjen mes kryetares së Kuvendit dhe deputetit Ukaj.

Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë seancën e Kuvendit me arsyetimin e mungesës së edukatës të deputetit Ukaj.

Në korrik të këtij viti pati një incident në mes të deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, Kujtim Shala dhe të Vetëvendosjes, Gazmend Gjyshinca e Fitore Pacolli.

Këta të fundit, pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në të cilën raportoi ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, mbajtën një konferencë për media, ku akuzuan deputetët e LDK-së për sulm fizik në korridorin e Kuvendit.

“Ata patën një tendencë të dytë na sulmuan në korridorin e Kuvendit, jashtë sallës ku mbajtëm takimin. Nuk është fyese kur kërkon prej ministrisë pse nuk shkarkon një ambasador të emëruar politik pasi i ka skaduar mandati. Kjo ishte e orkestruar dhe kjo tregon që këta janë duke u përballur me një situatë të vështirë dhe nuk munden ti kryejnë detyrat e veta”, ka thënë Pacolli në një konferencë për media”, ka thënë Pacolli para gazetarëve.

Ndërsa po ashtu përmes një konference për media, deputetët e LDK-së, Arben Gashi dhe Kujtim Shala mohuan akuzat e Vetëvendosjes.

Deputeti Arben Gashi para gazetarëve tha se në korridor ka pasur gjuhë agresive nga deputetët Gjyshinca e Fitore Pacolli.

“Mbledhja ka qenë e tensionuar, në mes te deputetëve të Vetëvendosjes dhe ministres dhe me kryetaren e Komisionit.Ne si LDK nuk jemi përfshi në këto tensione. Ka pas një diskutim të Kujtim Shalës dhe pas diskutimit, Gjyshinca ka fillu me ofendime ndaj deputetit, për ketë arsye kryetarja ka vendosur për mbylljen e mbledhjes. Në diskutime në korridor, Gjyshinca dhe deputetja Pacolli shfaqen një gjuhë agresive dhe ne u larguam prej aty, kjo mund të shihet nga kamerat e kuvendit. Kjo po bëhet qëllimshëm për me demtu  reputacionin e Kuvendit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, të dy janë intervistuar nga ana e Policisë së Kosovës në lidhje me rastin.

Kurse një incident tjetër kishte ndodhur në shtator të vitit të kaluar ndërmjet ish-deputetit nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi, pas një debati televiziv.

Në lidhje me këtë rast, Prokuoria Themelore në Prishtinë ka ngritur një aktakuzë ndaj  Dardan Molliqajt dhe shoqëruesit të tij  kundrejt veprës penale të sulmit, ku palë e dëmtuar është ish-zëvendëskryeministri  Haki Abazi.

Një konflikt tjetër kishte ndodhur edhe në maj të vitit 2018, në mes të deputetit të LDK-së, Arben Gashi dhe ish-deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, e në të cilën ishte përfshirë edhe deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj.

Incidenti kishte ndodhur në momentin kur deputetët po votonin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

 

Pamjet e kapura nga kamerat e Kuvendit, tregonin se deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, pasi kishte dalë nga kabina e votimit me fletëvotim në dorë, ka shkuar drejt vargut të deputetëve ku gjendej edhe Arben Gashi.

Në momentin kur i është afruar, Haliti shihet duke tentuar t’i bjerë me bërryl deputetit të LDK-së.

Ndërsa deputeti Dreshaj më pas afrohet dhe shkëmben disa fjalë me Gashin, të cilit i thotë ‘kam me ta prish fytyrën’.

Në lidhje me këtë, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj deputetëve Haliti dhe Dreshaj. Ky i fundit akuzohej për kanosje ndaj deputetit Gashi, ndërsa Haliti akuzohej për sulm me pretendim.

Në fund, në tetor të vitit 2019, të dy deputetët e akuzuar ishin dënuar me nga 1,250 euro gjobë.

Në anën tjetër, në janar të vitit 2019, deputetet e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci (LVV) dhe Teuta Haxhiu (AAK) ishin përplasur  në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku po diskutohej për grevën e mësimdhënësve.

Deputetja Arbërie Nagavci e pati quajtur “budallaqe” deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiu, pasi kjo e fundit e ka akuzuar Nagavcin se e ka financuar organizatën e motrës së saj për arsim.

Polemika mes dy deputeteve u nis gjatë mbledhjes së Komisionit për Arsim ku po diskutohej greva e mësimdhënësve.

 

Përplasja mes deputeteve përveç në sallën e mbledhjes ka vazhduar edhe në holl të Kuvendit. Deputetja Nagavci i tha deputetes Haxhiu se do të takohen në gjykatë. Mirëpo, polemikat mes dy deputeteve kanë qenë të njohura edhe më herët.

Deputetja nga radhët e AAK-së Teuta Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 2 nëntor 2018 e kishte akuzuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavcin, se po “plaçkitë” mësimdhënësit për trajnime duke paguar nga 250 euro.

“Nga të dhënat nga ministria e Arsimit që kam marrë, të trajnuar në programin udhëheqja arsimore ku po bëhet gjithë plaçka nga disa trajnues në mesin e tyre është deputetja Arbërie Nagavci e cila e ka një organizatë që udhëhiqet nga Krenare Lleshi e që ajo është motra e zonjës Nagavci”, ishte shprehur deputetja Haxhiu.

Ndërkaq, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci i kishte quajtur të ulëta akuzat e koleges së saj.

“Është shumë e ulët, joprofesionale dhe tendencioze fjala e deputetes Haxhiu, duke marrë parasysh se ajo është edhe anëtare në Komisionin e Arsimit dhe duhet të kishte informata për mbarëvajtjen e procesit mësimor”, tha kishte thënë Nagavci për KALLXO.com.

qershor të vitit 2012, një fjalosje në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve Visar Ymeri, atë kohë në Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe Florin Krasniqi në njërën anë dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu kishte vazhduar edhe me një përplasje jashtë Kuvendit.

Bekim Haxhiu i njohur me nofkën ‘Kamishi’, kishte mbetur i lënduar nga ky incident dhe rasti kishte përfunduar në gjykatë.

“Kamishi’ në këtë rast ishte si palë e dëmtuar, ndërsa Visar Ymeri e Rexhep Selimi akuzoheshin se kanë goditur Haxhiun, pas një mosmarrëveshje ndërmjet tyre.

Pas disa seancave të mbajtura, kryetari i trupit gjykues i kishte shpallur të pafajshëm Selimin e Ymerin, ndërsa vozitësi Besart Bujupi ishte dënuar me gjashtë muaj burg me kusht.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Bekim Haxhiu, pati dhënë kritika të ashpra ndaj trupit gjykues të këtij rasti.