Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti i quan të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e deputetëve në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka quajtur të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e disa deputetëve të Kuvendit, gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve në kuadër të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Hoti theksoi se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, për të cilën thotë se kjo çështje është “shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës”.

“Ju rikujtojmë se në këtë proces shumë të ndjeshëm dhe kompleks është i përfshirë një rrjet i institucioneve dhe mekanizmave, të cilët veprojnë në koordinim të plotë mes tyre: Zyra e Kryeministrit, përmes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Policia e Kosovës, përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Grupi për persona të zhdukur (për dialog me palën serbe), Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP)”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Hoti rithekson se, angazhimi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, nuk ka munguar nga asnjëra Qeveri deri më sot, e sidomos tani kur është shtuar mbështetja dhe trysnia nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon të mbajë seancën plenare me pikën e rendit të ditës që është interpelanca e kryeministri Avdullah Hoti për çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Kjo temë ka ngjallur shumë diskutime dhe polimika mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së. Situata edhe eskaloi duke u përplasur edhe mes vete deputetët e këtyre dy subjekteve politike.

Përplasja ka ndodhur derisa në foltoren e Kuvendit të Kosovës fliste deputetja Saranda Bogujevci, një ish-e mbijetuar e masakrës nga lufta e fundit.

Përplasje në Kuvend