Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Rozeta Hajdari: Nga 660 biznese, në 48 dosje ka emërtime kundërkushtetuese

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., MINT nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.

Hajdari thotë se MINT ka themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.

“Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese” – ka shkruar ministrja Hajdari në Facebook.

Ministrja ka thënë se si rezultati i  riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, ka emërtime kundërkushtëtuese, ku në rubrikën vendi, siç shpjegon Hajdari, është shkruar “”Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” etj”.

“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”- thekson ajo.

“ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k”- është shprehur ministrja.

Hajdari thotë se, pretendimet që MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, “janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Në lidhje me vendimin e MINT-it, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si jetikje lirinë e mediave, ai është shprehur se ndekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”-ka shkruar Kurti në Twitter.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”-ka shtuar Kurti.

Kurse, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes një reagimi të përbashkët kanë  shprehur shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.

“Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent  për zgjidhjen e situates” – thuhet tutje në reagim.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend » – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.

Në një reagim të saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së ‘Klan Kosovës’.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Ministria refuzon ankesën e “Klan Kosovës” ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit