Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, Foto: ZKM

Përplasje gjatë raportimit të ministres Hajdari në Komision, e largojnë nga salla shefin e kabinetit të saj

Raportimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin për Ekonomi është përcjell me përplasje verbale mes deputetëve të opozitës dhe shefit të stafit të saj, Kushtrim Dakaj.

Ky i fundit, me insistimin e deputetëve Pal Lekaj (AKK) dhe Valentina Bunjaku(LDK) është larguar nga salla e mbledhjes.

Përplasja ka nisur gjatë diskutimeve rreth realizimit të projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planeve për vitin 2024.

“Ti nuk ki drejt me fol, ku e qojmë ne ketë ligj ti nuk ki drejt me fol”- i është drejtuar Dakajt deputetja Bunjaku.

Ndërsa ai iu kundërpërgjigj duke thënë: “Sa herë fol ti pa mikrofon, foli edhe unë”.

Ky debat ka nxitur reagimin e deputeti Pal Lekaj, i cili kërkoi që Dakaj të largohet menjëherë nga salla.

“Nuk lejohet me ofendu deputetin. Çu largohu prej sallës, çu, çu”, reagoi Lekaj.

Këtë kërkesë e mbështeti kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, dhe i kërkoi ministres Hajdari që ta largoj shefin e kabinetit të saj nga mbledhja.

Pas kësaj, reagoi ministrja Hajdari, e cila kritikoi Shalën që nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndaj deputetëve për gjuhën bullizuese të përdorur gjatë komisionit.

“Zyrtari që ju e larguat është shefi i stafit të kabinetit të Industrisë, Kushtrim Dakaj. U indinjua nga sjelljet… prandaj ishte ky reagim i tij. A është e lejuar që unë të bullizohem. A more ndonjë masë, ka qenë bullizim nga deputeti Pal Lekaj dhe Valentina Bunjaku. Zbatoje legjislacionin. Për hir të publikut unë nuk e përdori gjuhën e bullizimit”- tha Hajdari.

Në këtë mbledhje, si pika të rendit të ditës kanë qenë edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut, si dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit.