Reagon ish-drejtori i QPS-së pas arrestimit: Jam i pastër si loti

Ish-drejtori i Qendres për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku ka reaguar pas ndalimit që iu është bërë më 8 shtator nga Prokuroria e Shtetit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.

Sipas Mujkut, publikimet në media janë “tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar”.

“Së pari ju falenderoj secilin prej jush për interesimin dhe përkrahjen e sinqertë, si dhe ju kërkoj falje për shqetësimin e ndjerë, të krijuar nga të tjerët për mua. Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit” – ka thënë ai në një reagim publik.

Mujku ka përmendur “sjelljen shumë korrekte dhe profesionale” e hetuesisë dhe policisë, “përjashtuar si zakonisht, ruajtjen e privatësisë së qytetarëve në procedurë hetimi”.

Ai ka thënë se është i pastër nga këto akuza, dhe se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.

“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero. Nuk do të ndalem në shërbim të drejtë dhe me integritet për vendin nga cilado pozitë që jam, sepse e kemi obligim profesional dhe moral. E paçit shëndetin, familjen e lumtur në shtëpi, miqtë e dashamirët afër, e drejtësinë në krah secili. Do ta nisni çdo ditë mirë kështu si unë” – ka shkruar ish-drejtori i QPS-së.

Mujku është liruar në procedurë të rregulltë pas ndalimit nga Prokuroria. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se gjatë kesaj faze hetimore, Prokurori i Shtetit i ka ndermarre të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave personale dhe materiale, si dhe ka vlerësuar që rastin ta hetojë në procedurë të rregullt” – tha ajo.

Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës të ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit gjatë ditës së premte u ndaluan me masë të ndalimit 48 orësh.

Të premten Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë si dhe një zyrtari të LDK-së në komunë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat V. M. dhe V. M., dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.

Derisa edhe i ndaluari Fadil Aliu po ashtu dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare. Aliu u lirua të shtunën në procedurë të rregulltë.

Lidhur me këto ndalime të zyrtarëve komunal, nga ana e policisë është intervistuar edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”- ka theksuar ai.

Artikulli është përditësuar në orën 13:31 duke bashkangjitur përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Prokuroria jep detaje për tre zyrtarët e arrestuar të komunës së Prishtinës