Mohimi i të drejtave

15 vjet pas pavarësisë, Kosova nuk ka arritur që të siguroj të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Derisa kritikohet qasja e shtetit ndaj grupeve të margjinalizuara, theksohet mungesa e plotësimit të legjislacionit mbi të drejtat e njeriut.

Institucionet publike, në nivel qendror dhe lokal, nuk kanë përmbushur standardet elementare mbi të drejtat e njeriut. Shumë nga institucionet në vend, nuk ofrojnë qasje të barabartë në punësim për grupet e margjinalizura në vend ndërsa mungon edhe infrastruktura fizike për personat me aftësi të kufizuara. Hulumtimet theksojnë që legjislacioni mbi të drejtat e njeriut në Kosovë gjithashtu nuk është në harmoni me ligjet e Bashkimit Evropian, e ato që tashmë janë harmonizuar nuk gjejnë zbatim të plotë.

Një raport i organizatës që i mbron dhe promovon të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Handikos, në vitin 2020 shpërfaq se në nivel vendi janë të përmbushura vetëm 6,77 % e obligimeve Infrastrukturore.

“As institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush standardet për qasje të lirë për persona me aftësi të kufizuar” – thotë Afrim Maliqi, drejtor i Handikos-it në Kosovë.

“Shpesh dëgjojmë që ka ligje të mira në Kosovë por nuk po zbatohen. Duhet të thënë që, as ligje të mjaftueshme nuk kemi dhe shteti duhet të mendoj që në të ardhmen t’i përplotësoj zbrazëtirat ligjore në fushën e të drejtave të njeriut, e në veçanti për personat me aftësi të kufizuara” – thotë drejtori i Handikos.

Sipas tij, një problem tjetër i vazhdueshëm në vend është pranimi teknik i objekteve, si ato private si ato publike. Sipas tij, kjo përbën edhe shkelje ligjore.

“Asnjë objekt në Kosovë, ama asnjë objekt, nuk i plotëson standardet sipas Udhëzimit Administrativ 33/2007, as në nivelin lokal as në atë qendror” – thekson Maliqi.

Sipas Maliqit, edhe pse disa objekte kanë pjerrina e tualete, ato nuk janë me standarde dhe mungojnë gjërat përcjellëse.

Afrim Maliqi – Handikos

Mangësi në ofrimin e standardeve minimale për të drejtat e njeriut, hulumtimet e Handikos gjejnë në disa prej kritereve matëse në arsim, shëndetësi, punësim dhe kujdes social e të tjera.

Në anën tjetër, hulumtimet tregojnë mangësi të mëdha të ofrimit të qasjes fizike nga institucionet publike në vend. Një hulumtim i Internews Kosova i shtrirë në pesë komuna të Kosovës, Prishtinë, Lipjan, Graçanicë, Gjilan dhe Viti e po ashtu, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” tregoi gjendje të rëndë të ofrimit të të drejtave të njeriut nga këto institucione.

Gjetjet kryesore të hulumtimit tregojnë që punësimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, në shumicën e institucioneve të monitoruara është nën kriterin ligjor ndërsa gratë nuk kanë hapësirë që të udhëheqin institucione publike. Probleme serioze hulumtimi thekson në ofrimin e qasjes fizike pasi shumica institucioneve nuk kanë qasje në katet e dyta, ofrim të tualeteve të përshtatshme për persona me aftësi të kufizuara e as shënjezime e akustikë që t’i orientonte të gjithë ata që kanë nevojë.

Monitorimi në komunën e Prishtinës tregon që në Qendrat e Mjekësisë Familjare infrastruktura fizike për qasje për personat me aftësi të kufizuara është më mirë se në komunat e tjera, anise jo plotësisht sipas standardeve. Por, mungesë e theksuar e qasjes vërehet në dy shkollat e monitoruara në kryeqytet, shkollën “Sami Frashëri” dhe shkollën “Xhevdet Doda”.

Në anën tjetër, në objektin e vjetër të komunës, ekzekutivi lokal ka punuar që të ofroj qasje me pjerrinë në hyrje të objektit, lift që ofron qasje në katet lartë të objektit e po ashtu, tualet në katin e parë, shënjëzime dhe akustikë e po ashtu një sportel të akomoduar për personat me aftësi të kufizuara.

Në komunën e Lipjanit, objekti i këtij institucioni përmbushë në nivel të kënaqshëm standardet e qasjes fizike për persona me aftësi të kufizuara pasi objekti është i ri. Po gjendja në institucionet e tjera nuk qëndron ashtu siç e parashohin standardet. Dy shkollat e monitoruara në Lipjan, gjimnazi “Ulpiana” dhe shkolla “Ismail Luma” nuk ofrojnë qasje për persona me aftësi të kufizuara.

Probleme të njëjta janë identifikuar edhe në tre komunat e tjera, Graçanicë, Gjilan dhe Viti. Shumica e institucioneve të monitoruara kanë mangësi në ofrimin e qasjes fizike.

Në anën tjetër, telashe të mëdha janë evidentuar në dy objekteve të UP-së në Prishtinë, në Fakultetin e Filologjisë dhe në Fakultetin e Juridikut. Objektet nuk ofrojnë qasje të plotë për personat me aftësi të kufizuara, nuk e punësojnë këtë kategori e po ashtu punësimi i komuniteteve jo-shumicë është zero në gjithë universitetin.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “Luftimi i diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore” – zbatuar nga ATRC, Internews Kosova dhe D4D. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.