Prokuroria jep detaje për tre zyrtarët e arrestuar të komunës së Prishtinës
Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës të ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit gjatë ditës së premte janë në masën e ndalimit 48 orësh.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj për Kallxo.com ka bërë të ditur se Prokuroria ne koordinim me Policinë është duke vijuar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
Të premten Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë si dhe një zyrtari të LDK-së në komunë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat V. M. dhe V. M., dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.
Derisa edhe i ndaluari F.A po ashtu dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare.
“Të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërkaq Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vijuar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore”- është shprehur Ulaj.
Lidhur me këto ndalime të zyrtarëve komunal, nga ana e policisë është intervistuar edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Ai të premten përmes një postimi bëri të ditur se është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Ju njoftoj se sot pasdite jam intervistuar nga Policia e Kosovës, në cilësinë e DËSHMITARIT, në ndërlidhje me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve komunal të Komunës së Prishtinës”- ka shkruar Zogaj.
“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”- ka theksuar ai.
Derisa, dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë gjatë ditës përmes një komunikate u shprehën se kemi të bëjmë me krim të organizuar.
“Jemi të bindur se për rastin e arrestimeve të fundit, nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të caktuar, tani të arrestuar e intervistuar, por kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”- thuhej në komunikatë.
Arrestimi i tre zyrtarëve komunal, nënkryetari i Prishtinës intervistohet nga Policia