Foto: KALLXO.com

Analiza: Mungesë kushtesh infrastrukturore në Qendrat për Punë Sociale në Kosovë

Të mërkurën është prezantuar një analizë mbi gjendjen aktuale të Qendrave për Punë Sociale në aspektin ligjor, institucional dhe funksional në të cilën janë prezantuar sfidat e këtyre institucioneve.

Në prezantimin e gjetjeve, mes tjerash u tha se ka Qendra për Punë Sociale në Kosovë, të cilat nuk kanë as automjete të cilat u nevojiten për ofrimin e shërbimeve, ndërsa mbi 50 për qind e qendrave kanë deklaruar që nuk kanë qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Kjo analizë është nxjerrë nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në partneritet me UNICEF dhe USAID në Kosovë.

Lidhur me prezantimin e kësaj analize, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se do ta krijojnë një skemë të qëndrueshme për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në Qendra për Punë Sociale.

”Jemi të përkushtuar që të bëjmë maksimumin që të sigurojmë mbështetjen e nevojshme financiare për funksionimin në këtë rast të qendrave për punë sociale. Pra, në këtë drejtim hapi ynë i radhës do të jetë krijimi i një skeme të qëndrueshme të kontraktimit për sektorin jo qeveritar, me qëllim të ofrimit të shërbimeve direkte, të qëndrueshme dhe cilësore, të cilat janë të cenuara në shoqërinë tonë” – tha Haxhiu.

Kurse, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, e cila trajtoi gjendjen e Qendrave për Punë Sociale në Kosovë, duke e cilësuar rolin e këtyre qendrave shumë të rëndësishëm.

”Këtu në Kosovë qendrat e punëve sociale, shërbimet sociale luajnë rol esencial për t’i mbështetur fëmijët dhe familjet, duke i identifikuar dhe menaxhuar rreziqet..Sistemi i mbrojtjes sociale momentalisht në vend, lufton përjashtimet liberale për t’i parandaluar të dyja, dhunën dhe abuzimin” – është shprehur Zicherman.

Tutje, ajo tregon se kjo analizë do të tregoj një realitet lidhur me kapacitetin e këtyre shërbimeve sociale.

”Analiza sot do të tregoj se pavarësisht të gjitha përpjekjeve, kapaciteteve të komunave, përmes qendrave të punës sociale, kapaciteti i shërbimeve sociale vazhdon të jetë shumë i kufizuar” – shtoi Zicherman.

Kurse, nga KOMF, ka folur Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e KOMF, e cila bëri thirrje që gjetjet dhe rekomandimet e kësaj analize të gjejnë zbatim në mënyrë që të përmirësohet gjendje e Qendrave për Punë Sociale.

”Si proces e kemi mbështet me shumë kënaqësi, bashkë me organizatat anëtare, sepse kemi pa që ka një vullnet fillimisht politik prej Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka munguar për shumë e shumë vite. Nuk është që kemi pas një interes për investim në pjesën e shërbimeve sociale nga niveli politik, dhe e dyta që presim shumë që me bashkëpunu me Ministrinë e Drejtësisë dhe kabinetin e saj” – tha Kelmendi.

Ndërkohë, Kelmendi theksoi se kjo analizë është shkruar nga Blerta Perolli-Shehu edhe Bedri Bahtiri, të cilët e kanë realizuar atë brenda një periudhe 3-4 javore.

Kelmendi po ashtu ngriti disa çështje lidhur me ligjin për shërbime sociale familjare, të cilat i cilësoi si emergjente për tu ndryshuar.

“Është vërtetë emergjente që ligji për shërbime sociale familjare, ligji për financat e pushtetit lokal, ndryshimet për të cilat duhet të vepron edhe në ligjin për prokurim, në mënyrë që të kemi një lloj skeme të qëndrueshme të shërbimeve sociale, formula e financimit, me të vërtetë çështje emergjente për tu proceduar” – tha Kelmendi.

Në një përmbledhje të shkurtër ajo tha se, ka qendra sociale që fare nuk kanë automjete.

“Ka qendra sociale që fare nuk kanë automjete, nëse nuk i kanë pajisjet bazë dhe presin që të ofrojnë shërbime, të shkojnë në familje dhe të kryejnë mandatin e tyre ligjor; vetëm 28% e qendrave kanë kushte infrastrukturore të përshtatshme për të ofruar shërbime sociale; mbi 50% të qendrave kanë deklaruar që nuk kanë qasje për personat me aftësi të kufizuara.”

Blerta Perolli-Shehu, eksperte e çështjeve sociale dhe bashkautorë e analizës, tregoi se analiza është mbështetur në dy burime: burimet parësore kanë qenë vet qendrat për punë sociale dhe OJQ, burime dytësore kanë qenë korniza ligjore aktuale dhe dokumentet dhe analizat, raportet e ndryshme.

Gjetjet në aspekt ligjor u prezantuan nga Bedri Bahtiri, ekspert ligjor dhe po ashtu bashkautor i kësaj analize, i cili shprehu shqetësimin se shpesh herë anashkalimi i juristëve po sjell probleme në hartimin e dispozitave ligjore.

”Qëllimi i krejt kësaj analize ka qenë m’i nxjerr në pah disa vështirësi, probleme, sfida me të cilat ballafaqohen Qendrat për Punë Sociale, kjo analizë ka tentuar të jetë thjeshtë një paraformë e cila do ti paraprijë procedimit tutje të ligjit për shërbime sociale familjare” – është shprehur Bahtiri.

Lidhur me Ligjin për shërbime sociale dhe familjare, Bahtiri tha se do të ndodhë zgjerimi i gamës së shërbimeve sociale dhe familjare.

Tutje janë prezantuar edhe gjetje tjera në aspektet strukturore, disa prej të cilave sipas hulumtuesve janë “Numri i zyrtarëve është i mangët dhe i padefinuar, kjo nënkupton që mesatarisht 3-4 zyrtarë punojnë në shërbimet sociale, përjashtim nga ky numër bëjnë qendrat e mëdha në Prishtinë, Mitrovica, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Gjakovë:.

“Ky numër i zyrtarëve nuk është në proporcion as me numrin e banorëve, as me numrin e familjeve në nevojë, fëmijëve, të cilët mund të kenë nevojë për shërbimet sociale”.

Sipas organizatorëve, korniza ligjore i përcakton pesë profesione të cilat munden të punojnë në shërbime sociale, duke filluar nga punonjësit social deri te psikologët, pedagogët, sociologët dhe juristët.

Gjetjet tjera tregojnë se vetëm 12 nga 28 komunat kanë raportuar se kanë në staf punëtorë socialë dhe se numri i psikologëve është po ashtu shumë i ulët.

“Hapësirat e punës janë të pamjaftueshme, të papërshtatshme, ka mungesa të zyrave individuale, makinat e fotokopjimit mungojnë, shumica e pajisjeve janë në gjendje të vjetërsuar dhe amortizuar, të gjitha këto në Qendrat për Punë Sociale”- u tha tutje.