Foto ilistruese: Pixabay

Fëmijët e rrugës të Kosovës: Të lënë pasdore në shtëpi dhe nga shteti

Neglizhenca institucionale dhe mungesa e kapaciteteve po bëjnë që shumë fëmijë të rrëshqasin nga rrjeta e mirëqenies sociale në Kosovë.

Rina (jo emri i saj i vërtetë) po pinte makiaton e përhershme të mëngjesit në një kafe në qendër të Prishtinës kur një djalë i vogël, jo më i madh se shtatë vjeç, iu afrua tavolinës së saj.

“A pe blen njo çokollat’? 20 cent veç”, i tha ai.

Rina e refuzoi çokollatën por zgjati dorën të merrte çantën e saj. “A shkon n’shkoll’?”, e pyeti djalin e vogël që e shihte pothuajse rregullisht në rrugët e qytetit.

“Veç do her’,” u përgjigj ai. “Na duhen paret.” Djali i vogël i tha Rinës që i ati mblidhte kanoçe ose shishe në koshat e mbeturinave për t’i shitur më pas, ndërsa vëllezërit e tij më të mëdhenj lanin xhamat e veturave kur ndalonin në semaforë.

Rina i dha 50 centë. “A t’rrehin kur s’bon shum’ pare?” e pyeti ajo. Djali pohoi me kokë, mori paratë dhe shkoi te tavolina ngjitur.

Sipas ligjeve të Kosovës, djali mund të merrej nga familja e tij dhe të vendosej në strehim alternativ. Gjithsesi është e zakonshme të shohësh fëmijë duke lypur, shitur, ose larë xhama veturash në qytetet e shtetit më të ri të Evropës.

Mungesa e kapaciteteve të Qendrave për Punë Sociale, QPS, bën që shumë fëmijë – kryesisht nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian – të kujdesen vetë për veten e tyre, të detyrohen të punojnë që në moshë të hershme pavarësisht rreziqeve që ju kanosen. Pavarësisht operacioneve të herëpashershme kundër trafikimit të qenieve humane ose prindërve abuzues, institucionet shtetërore të Kosovës kryesisht e bëjnë një sy qorr në raste të tilla.

“Këta fëmijë shpesh nuk vendosen nën kujdesin e shtetit me justifikimin që janë të shoqëruar nga familjet e tyre,” thotë Egzona Gashi, koordinatore e Qendrës Ditore të Fëmijëve, në Prishtinë, të OJQ-së Terre Des Hommes, që ofron mbështetje për dhjetëra fëmijë në situatë rruge çdo ditë.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thotë që kambanat e alarmit duhet të bien prej gjendjes së fëmijëve në situatë rruge.

“Nuk kemi informacion që sugjeron që QPS-të kanë marrë veprimet e duhura në përputhje me legjislacionin në rastet e fëmijëve në situatë rruge,” Qelaj tha për BIRN. “Ajo që shohim çdo ditë  në rrugë në pjesë të ndryshme të qyteteve të Kosovës mbetet shqetësuese dhe duhet të jetë alarm i vazhdueshëm për institucionet që të përmirësojnë gjendjen e këtyre fëmijëve.”

“Shumica kanë familje”

Një fëmijë mbledh plastikë në Fushë-Kosovë. Foto nga Arben Llapashtica

OJQ-të që merren me të drejtat e fëmijëve thonë që Kosova ka krijuar një sistem shumë të mirë kujdestarie të fëmijëve të braktisur apo të neglizhuar, por ata fëmijë të cilët detyrohen të punojnë në rrugë janë kryesisht të injoruar.

Klevis Vaqari, menaxhere e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, thotë që disa viktima të punës së fëmijëve mund të jenë edhe viktima trafikimi.

“Ata mund të jenë të pashoqëruar, sidomos ata që vijnë nga Shqipëria, por shumica e kanë një familje, që e bën të vështirë që këta fëmijë të jenë pjesë e sistemit të strehimit të fëmijëve,” Vaqari thotë për BIRN.

Sipas të dhënave të KOMF,  426 fëmijë jetimë apo të braktisur në Kosovë janë në strehim te të afërmit e tyre; 51 janë në strehim familjar alternativ; dhe një numër i vogël janë në strehimore që janë shtëpi banimi me kapacitet 10-15 fëmijë.

Vaqari e konsideron të suksesshëm sistemin e strehimit të fëmijëve në Kosovë sepse ka më shumë familje që duan të adoptojnë se fëmijë për t’u adoptuar. Por ajo thotë që sustemi duhet të shërbejë si një zgjidhje e përkohshme ose e përhershme për fëmijët e neglizhuar ose të abuzuar nga prindërit e tyre.

“Një fëmijë i lënë për të lypur në trotuar në -10 gradë është pa dyshim i neglizhuar,” thotë ajo duke shtuar që “një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve e kanë braktisur edhe shkollën, që është e dënueshme me ligj.”

Mungesë besimi institucional

Qendra Ditore për Fëmijët në organizatën Terre Des Hommes, në Prishtinë, Kosovë. Foto: BIRN.

Abaz Xhigoli, drejtori i QPS-së në Fushë Kosovë tha për BIRN që kjo QPS ka larguar nga rruga vetëm dy fëmijë dhe i ka vendosur në strehim familjar.

Por sipas tij vetëm një familje ofron strehim familjar në Fushë Kosovë dhe pavarësisht që mund të përdorin strehimoret familjare në rajonet e tjera të Kosovës, “nuk ka shumë familje nga komunitetet etnike jo shqiptare” që mund të jetë goxha problematike.

Adelina Rexhepi, drejtoresha e QPS-së në Ferizaj kujton vetëm një rast të tillë në këtë qytet rreth një dekadë më parë. “Që atëherë kemi punuar me familjet dhe nuk kemi pasur raportim të të njëjtit rast dy herë,” tha Rexhepi për BIRN.

Vaqari, gjithsesi, thotë që njerëzit e kanë humbur besimin tek institucionet shtetërore për ta adresuar problemin ndërsa QPS-të nuk kanë kapacitete të mjaftueshme.

Avokati i Popullit Qelaj, tha për BIRN: “Institucionet duhet të angazhohen në fuqizimin e QPS-ve sepse ato kanë autoritetin e plotë për t’i marrë fëmijët nën kujdesin e shtetit”.

Prokuroria Themelore e Ferizajt tha për BIRN që nga 2017 deri 2021 ka ngritur katër aktakuza për keqtrajtim të fëmijëve për persona që i kanë nxjerrë fëmijët në rrugë për të lypur.

Në Prishtinë, Prokuroria Themelore thotë që në të njëjtën periudhë ka regjistruar pesë raste të trafikimit me qenie humane ku viktimat ishin fëmijë.  Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur një aktakuzë për keqtrajtim të fëmijëve, ndërsa Mitrovica dhe Gjilani asnjë.

Situatë e brishtë

Gashi nga Qendra Ditore e Fëmijëve e  Terre des Hommes, një organizatë zvicerane për të drejtat e fëmijëve,  thotë që shërbimet që ofron kjo qendër larguar tetë fëmijë nga rruga. Gjatë pandemisë të COVID-19, Qendra ka ndihmuar me mësim online dhe ka dërguar ushqim dhe produkte higjienike te fëmijët.

“Qëllimi i Qendrës Ditore të Fëmijëve është të ulë kohën që fëmijët e kalojnë në rrugë duke ju ofruar të marrin pjesë në aktivitete psiko-sociale, si dhe duke rritur ndërgjegjësimin familjar për rreziqet e rrugës,” Gashi thotë për BIRN.

Terre des Hommes po punon edhe drejt hapjes së një qendre në Prizren që do të ofrojë qëndrim deri në 72 orë.  Kjo, gjithsesi, varet nga bashkëpunimi i institucioneve qeveritare dhe i komunës, që varet nga prioritetet.

“Qendra Ditore e Fëmijëve mund të mbyllet nesër. çfarë do të bëjnë pastaj këta fëmijë?” tha Vaqari e KOMF.

Implementimi i ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, i miratuar në 2019, supozohej të fillonte në 2021, sipas Avokatit të Popullit, Qelaj, që tregon se janë nxjerrë vetëm dy nga 16 akte të nevojshme nënligjore.

“Kjo vërteton që ligjet janë të mira por nuk po implementohen sepse nuk ndiqen nga aksesorët e nevojshëm për implementim,” thotë Qelaj. Ai gjithashtu citoi probleme si mungesa e buxhetimit të duhur dhe varësinë e QPS-ve në financimin nga komunat.

Qelaj thotë që një koncept dokument që di ta qartësonte rolin e komunave në kujdesin ndaj fëmijëve ishte inicuar para shtatë vitesh, por “nuk është as projekt ligj”.

Ai propozoi që QPS-të të jenë nën përgjegjësinë financiare të Ministrisë së Financave dhe që komunat duhet të marrin vendime të tjera si ndërtimi dhe menaxhimi i strehimore.

Qelaj gjithashtu i bën thirrje qeverisë që të analizojë nëse një strategji kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, e miratuar në 2019, është implementuar.

Thirrje për bashkëpunim më të mirë

Sipas një raporti të Institutit GAP, Kosova ka 40 QPS me 400 punëtorë socialë gjithsej të cilët merren me qindra raste në fusha të ndryshme.

Ekspertët thonë që kapacitetet kanë arritur maksimumin e tyre. Komuna e Ferizajt për shembull ka vetëm shtatë punëtorë socialë dhe tre asistentë socialë për një popullsi rreth 106,000 banorë. “Janë rreth 160 raste të reja për çdo punëtor social në vit,” thotë Rexhepi për BIRN, që i shtohen rasteve të cilat kërkojnë angazhim konstant, që do të thotë që punëtorët socialë mund të merren me 200 raste në vit.

QPS-ja e Fushë Kosovës ka vetëm tre punëtorë socialë për një popullsi rreth 40,000 banorë.

Gashi thotë që punëtorët socialë shpesh duhet t’i anulojnë takimet për shkak se duhet të jenë të pranishëm në gjykatë për ndonjë rast tjetër ose të vizitojnë strehimoret për viktimat e dhunës në familje.

Duke u përpjekur të mbyllë boshllëqet, Terre des Hommes ofron mbështetjen me të paktën një punëtor/e social/e për tetë komuna, të fokusuar vetëm në shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve. Edhe atëherë nuk mjafton, thotë Gashi.

Qelaj thotë që një bashkëpunim më i mirë mes organeve shtetërore dhe OJQ-ve mund ta përmirësonte situatën.

“Duhet një partneritet konkret dhe jo deklarativ,” thotë ai./Reporter.al