I moshuari s'ka ku të shkojë, rri në korridoret e Spitalit të Mitrovicës

Një i moshuar që nga e shtuna është duke qëndruar pa përkujdesje. Ai po rri në korridoret e Spitalit të Mitrovicës.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së këtij Spitali, Luljeta Zhubi.

E njëjta tha se kanë kontaktuar me Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicë, mirëpo këta të fundit ende nuk kanë gjetur zgjidhje.

“Kemi kontaktu me QPS-në çdo ditë, veç na kanë shty: vijna sot, vijna nesër [..]. Për nesër na thanë që është data e fundit që kanë me ardhë me marrë”, tha Zhubi për KALLXO.com.

Sipas Zhubit, të moshuarit i janë kryer të gjitha analizat e nevojshme për të dëshmuar se ky i fundit nuk ka ndonjë sëmundje ngjitëse.

“Po na pengon shumë stafin në punë, personelin, pacientët. Na kanë llogaritë se ne jemi strehimore për këtë person”, tha ajo.

E njëjta ka thënë se ka dyshime se ndonjë patrullë e Policisë së Kosovës e kanë sjellë të moshuarin në Spital.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

I njëjti ka thënë se një rast të natyrës së tillë e kanë referuar në QPS.

“Para një jave, Policia një rast të natyrës së tillë, e ka referuar në Qendrën për Punë Sociale”, ka thënë Zahiti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me QPS-në në Mitrovicë, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.