Dërgohen para Gjykatës të dyshuari për keqpërdorime të rezervave shtetërore në MINT

Rasti i rezervave shtetërore, çfarë tha në Gjykatë i pandehuri Irfan Lipovica?

I dyshuari lidhur me pretendimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, Irfan Lipovica, në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit.

Lipovica kishte thënë se në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë është që 13 vite dhe se asnjëherë nuk ka bërë shkelje ligjore anipse ka pasur pozicione të rëndësishme dhe ka qenë pjesë e çështjeve shumë të rëndësishme shtetërore.

Ndër çështjet e rëndësishme shtetërore, Lipovica ka përmendur negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe çështje të tjera të cilat sipas tij janë jetike për shtetndërtim.

“Në MINT jam qe 13 vite dhe asnjëherë nuk kam bërë shkelje ligjore ndonëse kam patur pozicione të rëndësishme dhe kam qenë pjesë e çështjeve shumë të rëndësishme shtetërore, duke përfshirë negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim”- kishte thënë Lipovica sipas dosjes së Gjykatës.

 

I dyshuari, sipas vendimit të Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, në seancë dëgjimore kishte thënë se ka qenë katër vite kryetar i komisionit disiplinor dhe me vullnet të madh ka punuar dhe mbrojtur këtë institucion.

Mbrojtësi i të dyshuarit Lipovica, Durim Osmani, kishte kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit duke theksuar se nuk është provuar dyshimi i bazuar, as rreziqet alternative.

Osmani në kundërshtimin e kërkesës së Prokurorisë kishte thënë se çështja e përjashtimit të Ligjit për prokurim nuk rregullohet me Ligjin për rezervat shtetërore por rregullohet me Ligjin special për prokurim publik i vitit 2011.

“Çështja e përjashtimit të Ligjit për prokurim publik nuk rregullohet me Ligjin për rezervat shtetërore por rregullohet me Ligjin special për prokurim publik të vitit 2011, po ashtu Ligji i cekur për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për prokurim publik nga ana e Prokurorisë nuk rregullon çështjen e përjashtimit nga Ligji i prokurimit publik por zëvendëson nenin 168 të Ligjit për prokurim publik” – kishte deklaruar Osmani.

Mbrojtësi i Lipovicës tutje kishte shtuar se sa i përket pretendimit të Prokurorisë se përzgjedhja e operatorëve është bërë nga Lipovica bie në kundërshtim me provat që gjenden në shkresat e lëndës. Pasi që kërkesa e Prokurorisë përmend vendimin për themelimin e komisionit, nga vetë kjo provë rezulton se përzgjedhja e operatorit është bërë nga personat e tretë.

“Sa i përket pikës së dytë të pretendimit të Prokurorisë se përzgjedhja e operatorëve është bërë nga Irfan Lipovica bie në kundërshtim me vetë provat që gjenden në dosjen e kësaj çështje, në këtë dosje po ashtu edhe në kërkesë në faqen 9 përmendet, vendimi për themelimin e komisionit i datës 03.03.2022, nga vetë kjo provë rezulton se përzgjedhja e operatorit është bërë nga personat e tretë”- thuhet në vendimin e Gjykatës.

Osmani në këtë seancë kishte kërkuar që masa e paraburgimit të mos zbatohet pasi nuk janë plotësuar asnjë nga kushtet ligjorë për caktimin e kësaj mase. Mbrojtësi i Lipovicës kishte kërkuar ndonjë masë tjetër më të butë se masa e paraburgimit.

Këto pretendime të mbrojtësit Osmani i dyshuari Lipovica i kishte mbështetur në tërësi.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi janë arrestuar më 18.8.2023 nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjykata me gjyqtaren Suzana Çerkini kishte marrë vendim me të cilin tre të dyshuarit e lartpërmendur t’i dërgojë në paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, për caktimin e masës së sigurisë.

Dosja e Prokurorisë: Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete” me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, e më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022.  Me këtë vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij komisioni për negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, me datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica, kërkesën për përjashtimin e procedurave të prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për Furnizimin me Mallra të Rezerves Shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e prokurimit publik, e më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O.E. përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezerves shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për furnizim.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në anën tjetër dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim per fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.