Qytetarët pretendojnë se Policia në Pejë iu shqiptoi gjoba për veturat që i patën në parking të banesave

Për 11 gjoba për kundërvajtje trafiku që u shqiptuan më 25 mars 2023 në Pejë, ndaj Policisë së Kosovës tashmë janë shprehur disa pakënaqësi.

Kjo pasi qytetarët po pretendojnë se veturat e tyre kanë qenë në parkingun e banesave që gjenden në rrugën “Konstandini i madh”.

Një nga gjobat që ka siguruar KALLXO.com për këtë rast tregon se gjoba e shqiptuar po atë ditë, në 08:00 të mëngjesit, ka vlerën prej 30 euro.

Përderisa në një fotografi tjetër të siguruar shihen të paktën katër vetura në xhamat e së cilave janë vendosur gjobat e shqiptuara nga zyrtarët e stacionit policor në Pejë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë për këtë ngjarje, përderisa të njëjtët kanë thënë se qytetarët e gjobitur që kanë shprehur pakënaqësi në këtë rast, janë udhëzuar për procedurat për ankesë.

“Lidhur me këto gjoba disa qytetarë kanë shprehur pakënaqësi lidhur me shqiptimin e tyre me pretendimin se gjobat janë shqiptuar pa bazë dhe se veturat e tyre kanë qenë në parkingun e banesave, e që nga zyrtarët policor kompetent, palët janë udhëzuar për procedurat e ankesave sipas ligjeve në fuqi” – thuhet në përgjigjen e DRP-së në Pejë.

Në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës më datën 26 mars 2023, e që tregon rastet që janë raportuar një ditë më herët, gjatë 25 marsit të këtij viti në të gjithë Kosovën është thënë se janë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 458 tiketa trafiku.

Në anën tjetër, pika e parë e nenit të 84 “Ndalja dhe parkimi”, në Ligjin për rregullat e trafikut rrugorë, thotë se shoferit nuk i lejohet ta ndalë dhe ta parkojë mjetin në vendin ku do ta rrezikonte sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik ose do ta pengonte zhvillimin normal të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve.

Ndërsa pika e dytë e këtij neni thotë se shoferi, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 30 eurosh.

Po ashtu, pika e parë e nenit 85 “Ndalja e mjetit pran skajit të djathtë të rrugës”, thotë se shoferi, i cili e ndal ose e parkon mjetin në rrugë publike është i detyruar ta ndalë, përkatësisht ta parkojë atë sa më pranë cepit të djathtë të sipërfaqes së rrugës qarkulluese.

Ndërsa pika e dytë tregon se shoferi i mjetit i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, po ashtu dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 30 eurosh.