Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Presidenti i Emiratave të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed ka pranuar propozimin e saj që të largoj vizat për qytetarët e Kosovës.

Ajo përmes rrjetit X bëri të ditur se marrëveshja që është arritur muajin e kaluar, tashmë është nënshkruar.

“E falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed që pranoi propozimin tim për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve dhe qytetarëve tanë”- ka shkruar Osmani.

Nga 1 janari 2024, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Para pak ditësh, Spanja njoftoi se ka pranuar t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës.