Quni flet për rënien e dëshmorëve të Koshares, Xhemajl Fetahaj e Milazim Shala: Kafshatat dhe plumbat i ndanin bashkë

Deputeti i LDK-së Anton Quni, pjesëmarrës në Betejën e Koshares, gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës më 04.04.2024 ka ndarë momente nga lufta e ushtarëve të rënë në këtë betejë.

Quni ka thënë se dëshmorët Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala të cilët u vranë më 31.05.1999, ishin të pandashëm.

Ai ka treguar se i pari kishte rënë Milazim Shala i cili ndodhej disa hapa para luftëtarëve tjerë.

Ndërsa ka rrëfyer se komandanti Xhemajl Fetahaj pas rënies së Milazimit më njërën dorë e tërhoqi trupin e tij, ndërsa me tjetrën ka hapur zjarr kundër armikut derisa i ka mbaruar municioni.

“Xhemajl Fetahaj nga Raushiqi e dhe Milazim Shala nga Baballoqi ishin bashkëluftarë që nga fillimi i operacionit, ishin të pandashëm. Kafshatat dhe plumbat i ndanin bashkë. Më 31 maj Xhemajli kërkoi 4 vullnetarë për mision vëzhgimi në majën Mrika. U lajmërua Milazimi dhe u vu në krye të grupit që duhet disa hapa të ishte para komandantit të tij Xhemajlit. Te bunkeri i parë neutralizuan grupin e parë të armikut, pak më larg alarmohen luftërat serb ku filluan luftimet e ashpra në distancë 30 deri 40 metra. Xhemajli vendos prerazi vetëm përpara. Duke lëvizur prej shkëmbit në shkëmb lëviznin përpara. Papritmas Milazimi goditet dhe trupi i tij përplaset në shkëmb. Xhemajli prerazi thotë se nuk ka kthim prapa pa Milazimin, me njërën dorë e tërheq trupin e pajetë të Milazimit me tjetrën dorë hap zjarr. I mbaron municioni kur edhe ai goditet për vdekje. Bie mbi trupin e Milazimit”- ka thënë ai.

Në nderim të dëshmorëve të Betejës së Koshares, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në seancën solemne më 04.04.2024.

Seanca ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar.

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.