Foto: Ilustrim

Qeni hyn brenda hapësirës së shkollës në Podujevë, sulmon 6 persona

Tre nxënës të shkollës ‘Fan Noli’ në Podujevë dhe tre qytetarë janë sulmuar nga një qen sot paradite.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, në një deklarim për KALLXO.com ka treguar se sulmi ka nisur jashtë hapësirës së shkollës, por ka vazhduar deri tek hyrja e shkollës.

Sipas drejtorit të Arsimit, personat kanë marrë trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare, derisa njëri është dërguar në QKUK.

“Sulmi besohet të ketë nisur nga rruga e më pas edhe brenda hapësirës së shkollës ‘Fan Noli’, qeni i ka ndjek tre nxënës dhe tre qytetarë që për fat të këq i ka sulmuar. I kemi vizituar të lënduarit në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku e kanë marr trajtimin”- ka thënë ai.

“Njëri prej nxënësve ka marr trajtim edhe në Prishtinë, prindi na ka thënë se nuk është në gjendje të rëndë por se e ka një plagë më të theksuar se të tjerët”- shtoi tutje Fetahu.

Sipas tij, rasti është paraqitur edhe në polici pasi me gjasë qeni nuk ka qenë endacak por ka qenë i shtëpisë.

Kurse, me qenin i cili sulmoi nxënësit dhe qytetarët, sipas drejorit, është marr tenderuesi që ka përgjegjësi trajtimin e qenve në komunë.

“Prej kontratës që e kemi për trajtim të qenëve endacakë janë marrë masa të duhuara ndaj qenit”- ka thënë më tej Fetahu.

Nga Policia dhe QKUK nuk është dhënë ndonjë deklarim lidhur me rastin.