U publikuan pamje duke sulmuar dy shofere në Prishtinë, Policia e arreston të dyshuarin në Pejë

Sot, më 24.04.2024, në media ka qarkulluar një video ku shihet një burrë duke detyruar me forcë dy gra që të hyjnë në veturat e tyre dhe duke goditur automjetet e tyre.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sylejmani Vokshi” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të njëjtin e ka arrestuar dhe ka iniciuar hetime për veprat penale – sulm, dhe – dëmtim apo asgjësim i pasurisë.

Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se i dyshuari është dërguar në mbajtje për shkak të veprave penale  -kanosja; lëndimi i lehtë trupor, dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat fillestare dyshohet që i dyshuar ka shkaktuar dy aksidente trafiku dhe më pas ka sulmuar vozitësit e veturave të aksidentura” – thuhet në njoftimin e policisë.

Pas identifikimit të të dyshuarit, ai është arrestuar pasdite në Pejë, ndërkaq rasti ishte raportuar rreth orës 13:00.