(ilustrim) Agim Çeku në gjykatë si i akuzuar në rastin "Veteranët" - FOTO: Laurant Berisha/KALLXO.com

Prolongimi i procesit gjyqësor në rastin 'Veteranët'

Ndonëse rasti i ‘Veteranëve’ është kthyer në rigjykim që nga data 24 mars e vitit 2022, deri më sot nuk është mbajtur asnjë seancë për shqyrtim gjyqësor.

Apeli kishte prishur aktgjykimin lirues të departamentit special për rastin e “Veteranëve” vendim ky i cili kthen edhe njëherë në bankën e të akuzuarve anëtarët e Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, me vendimin e Gjykatës së Apelit pritet të rigjykohen edhe një herë për të njëjtat akuza.

Që nga kthimi në rigjykim për këtë rast ishin caktuar disa seanca, të njëjtat nuk ishin mbajtur. E arsyet për mos mbajte të seancave ishin nga më të ndryshmet.

16 dhjetori i vitit që lam pas, ishte caktuar si datë kur do të startonte rigjykimi për këtë rast.

Seanca e lartcekur kishte dështuar të mbahet si pasojë  e mungesës së Faik Fazliut dhe Smajl Elezajt, dy nga të akuzuarit në këtë rast.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, në atë seancë i kishte dhënë afat prej 60 ditësh prokurorisë për të ndjekur rekomandimet e Apelit.

“Me aktvendim të Gjykatës së Apelit, ky rast është kthyer në rigjykim, me disa udhëzime e rekomandime, kështu obligoi prokurorinë që të ndërmarrë këto veprime në afat prej 60 ditësh” – tha kryetari i trupit gjykues.

Prokuroria në anën tjetër kishte deklaruar se i ka të qarta rekomandimet e Apelit, e që do të mundohet që të veprojnë në këtë afat të caktuar nga gjykata.

Tutje, seanca e datës 15 mars të këtij viti nuk ishte mbajtur, këtë herë pas kërkesës së prokurorisë për afat shtesë për plotësimin e aktakuzës.

Në këto rrethana si seancë e radhës ishte caktuar 15 qershori i këtij viti për fillimin e rigjykimit.

Përsëri seanca e 15 qershorit nuk ishte mbajtur, arsye del të jetë, mungesa e avokatit Skender Musa, që përfaqëson në këtë rast të akuzuarin Fadil Shurdhaj si dhe mos angazhimi i mbrojtëzve nga disa të akuzuar tjerë.

Gjyqtari Gazmend Bahtiri në atë seancë kishte njoftuar se për mungesën e Musës nuk ishte njoftuar as Gjykata.

Gjithashtu në po të njëjtën seancë të akuzuarit, Halitjaga, Buja, Daku, Fazliu e Jashari paraprakisht nuk kishin angazhuar mbrojtës ashtu siç parashihet me kodin e ri të procedurës penale që mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vite burgim.

Në këto rrethana seanca e radhës për këtë rast ishte caktuar të mbahej më datën 18 shtator të këtij viti.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t`u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.