Foto: Urim Krasniqi / KALLXO.com
Blakaj sfidon anëtarët e Komisionit për veteranët: Nëse besoni se jeni të pastër - publikoni audio-incizimet
Ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili e kishte hetuar rastin e njohur në publik si “Veteranët” ka reaguar pas vendimit i cili i liroi nga akuza 12 anëtarët e Komisionit që akuzoheshin se kishin keqpërdorur detyrën dhe se kishin fryrë listat e veteranëve.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Blakaj e ka cilësuar si të deformuar qëllimisht këtë rast pasi publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale.
“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe”, ka shkruar Blakaj.
Tutje Blakaj aktakuzën me të cilën po ngarkohen 12 zyrtarë shtetërorë, në mesin e tyre udhëheqës të UÇK-së, të angazhuar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit, e ka konsideruar si aktakuzën me vëllimin më të madh të paraqitur ndonjëherë në Gjykatë pasi sipas tij në këtë rast “vjen era krim nga kilometrat”.
“Një rast klasik me prova të qarta, bindëse, të rregullta e të papranueshme dhe me vëllimin më të madh të paraqitur ndonjëherë, të cilat saktë e provojnë veprën penale dhe fajësinë e të pandehurve të përfshirë në këtë rast, pavarësisht përpjekjeve dhe ndihmës qe me improvizime të “pastrohen” nga kjo përgjegjësi, ani pse kundërmimi nga era e krimit u vie nga kilometra larg!”, ka shkruar Blakaj.
Ai përmes postimit në Facebook i sfidoi anëtarët e Komisionit shtetëror që nëse kanë guxim dhe besojnë se janë të pastër, t’i publikojnë audio-incizimet e mbledhjeve të këtij Komisioni.
Sot gjatë ditës Gjykata e Prishtinës i ka shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” me arsyetimin se nuk është gjetur se të akuzuarit kanë vepruar në shpërputhje me detyrat e tyre.
Ky vendim erdhi gati dy vjet e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.
Përmes këtij vendimi Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u liruan nga akuzat të cilat i ngarkonin ata lidhur me fryrjen e listave të veteranëve luftëtarë për 19,500 persona.
Në këtë rast Prokuroria Speciale pretendon se 12 të akuzuarit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë ata ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Në lidhje me këtë rast kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka Mekaj ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte e shoqëruar me paqartësi.
Gjyqtarja Kukaj- Mekaj duke arsyetuar aktgjykimin lirues tha se Gjykata nuk kishte pasur për detyrë vlerësimin nëse 19,500 aplikacionet e përfituesve për veteranë luftëtarë ishin të kundërligjshme apo jo.
Mirëpo, pak më tej në arsyetimin e saj, gjyqtarja Kuka-Mekaj tregoi se disa prej 19,500 përfituesve për të cilët Prokuroria pretendon se janë të kundërligjshëm – në fakt nuk janë.
Sipas aktakuzës 12 anëtarët e Komisionit gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri më 31.1.2017 në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit e luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën nga autoriteti zyrtar me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në vazhdimësi të këtij procesi të akuzuarit e këtij procesi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së, përkundër faktit se nga aplikacione të plotësuar dhe dorëzuara vërtetohet qartë se ata u takonin kategorive të tjera të veteranëve si: Pjesëtar të UÇK-së, që ishin caktuar të kryejnë detyra të tjera si në mbështetje politike, logjistike, financiare, shëndetësore dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999.
KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.