(ilustrim) Agim Çeku në gjykatë si i akuzuar në rastin "Veteranët" - FOTO: Laurant Berisha/KALLXO.com

Rasti 'veteranët', dështon seanca

12 të akuzuarit në rastin ‘Veteranët’, sërish dolën para gjykatës së shkallës së parë lidhur me akuzat që Prokuroria Speciale i ngarkon me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Për këtë rast të akuzuar të tjerë përpos Çekut janë edhe Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Prezent në sallën e gjykatës ishin të gjithë të akuzuarit, për dallim prej mbrojtësit të të akuzuarit Shurdhaj, avokatit Skender Musa, i cili nuk prezantoi në gjykatore, gjë për të cilën as trupi gjykues nuk ishin në dijeni për mungesën e avokatit Musa.

Kryetari i trupit gjykues njoftoi palët që nga ky i fundit nuk ka pranuar ndonjë shkresë njoftuese, e vetë i akuzuari tha që mbrojtësi i tij sot ka një seancë tjetër.

Gjithashtu të akuzuarit, Halitjaga, Buja, Daku, Fazliu e Jashari paraprakisht nuk kishin angazhuar mbrojtës ashtu siç parashihet me kodin e procedurës penale që mbrojta është e detyrueshme për veprat penale të dënueshme me mbi pesë vjetë burgim.

Në rrethana të tilla, gjykata nuk mundi të procedojë tutje me gjykim.

Kryetari i turpit gjykues Gazmend Bahtiri paraprakisht kërkoi nga prokurori, Valdet Gashi një rrethanë sqaruese lidhur me parashtresën e dorëzuar dje nga Prokuroria që përmbante plotë 12 CD e që kishte të bënte me plotësimin dhe presimin e aktakuzës.

E lidhur me këtë edhe seanca e 15 marsit të këtij viti ishte anuluar pasi që prokuroria kishte kërkuar kohë shtesë për plotësimin e aktit akuzues.

Kryetari i turpit gjykues kërkoi nga prokuroria të sqaroj se në seancën e ardhshme a do të ketë ndonjë propozim për dëgjimin e ndonjë dëshmitari duke u bazuar në rekomandimet e Gjykatës së Apelit.

Gashi tha se duke u bazuar në sugjerimet e Gjykatës së shkallës së dytë, prokuroria nuk e ka parë si obligim që të bëjë ndonjë propozim për dëgjimin e ndonjë dëshmitari pasi që Apeli ka obliguar gjykatën që t`i dëgjoj dëshmitarët e zingjirin komandues dhe aplikuesit e kategorisë së mitur.

“Lidhur me këtë realisht ne nuk e kemi parë ndonjë obligim që të bëjë ndonjë propozim për dëgjimin e ndonjë dëshmitari me arsyen se nga rekomandimet e Gjykatës së Apelit, është obliguar Gjykata që t`i dëgjoj Gjykata dëshmitarët e kategorisë të përmendur si më lartë (zingjirin komandues dhe aplikuesit e kategorisë se mitur”- tha Gashi

I njëjti tha se rezervon të drejtën që në seancat e radhës të propozoj ndonjë dëshmitar nëse e sheh të nevojshme.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më datë 18 shtator të këtij viti.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për tu gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, me në krye Agim Çekun për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit – Veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.