Arkiv - Gjykimi ne rastin 'Veteranët', foto Era Hasani - Kallxo - 16.12.2022

Dështon seanca në rastin ‘Veteranët’

 

Seanca e paraparë të mbahej sot për rastin ‘Veteranët’, shkak i dështimit ishte mungesa e Faik Fazliut dhe Smajl Elezajt, dy nga të akuzuarit në këtë rast.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me rekomandime dhe udhëzime për prokurorinë.

Kryetari i trupit gjykues Gazmend Bahtiri, i caktoi afat prej 60 ditësh prokurorisë për të ndjekur këto rekomandime të Apelit.

“Me aktvendim të Gjykatës së Apelit, ky rast është kthyer në rigjykim, me disa udhëzime e rekomandime, kështu obligojë prokurorinë që të ndërmarrë këto veprime në afat prej 60 ditësh” – tha kryetari i trupit gjykues.

Prokuroria në anën tjetër deklaroi se i ka të qarta rekomandimet e Apelit, e që do të mundohet që të veprojnë në këtë afat të caktuar nga gjykata.

Ndonëse ky rast është kthyer në rigjykim që nga data 24 mars 2022, deri më sot nuk është mbajtur asnjë seancë për shqyrtim gjyqësor.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.

“Ashtu siç pritej edhe ndodhi! Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat me “përvojë të jashtëzakonshme ushtarake” pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe” – kishte shkruar Blakaj.

Blakaj sfidon anëtarët e Komisionit për veteranët: Nëse besoni se jeni të pastër – publikoni audio-incizimet