Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj shtetasit të Kosovës për krime kundër njerëzimit në Siri dhe Irak

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës me iniciale M.D për krime kundër njerëzimit lidhur me veprime ndaj vajzave dhe grave të komunitetit “Yazzid” në Siri dhe Irak në vitet 2014 deri 2017.

Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media të premten me datë 12.04.2024.

Përmes kësaj komunikate PSRK ka bërë të ditur se i akuzuari gjendet nën masën e paraburgimit dhe se çështja po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Veprat për të cilat po akuzohet i akuzuari janë “Krim kundër njerëzimit” dhe  “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit të Kosovës me iniciale M.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim kundër njerëzimit”, nga neni 143 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, nga neni 147, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafët 2.6 dhe 2.23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë Speciale, këto vepra u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazzid’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014-2017 dhe se kjo çështje penale tashmë ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Po ashtu, PRSK-ja njofton se i pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës, thuhet në këtë komunikatë.