Prokuroria Speciale i liron në procedurë të rregullt 7 personat e shoqëruar në Polici gjatë operacionit në veri
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për aksionin që u zhvillua në Zubin Potok dhe Zveçan.
Në komunikatë thuhet se në bazë të urdhërit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është zhvilluar një operacion policor, në kuadër të një hetimi lidhur me vrasjen e zyrtarit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë(EULEX), A.S, me qëllim të verifikimit të informatave dhe identifikimi të mundshëm të provave relevante.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer bastisje në dy (2) lokacione në Zveçan dhe në shtatë (7) lokacione në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; Vrasje të Rëndë; Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë, më 19.10.2025.
Gjatë këtij operacioni, janë shoqëruar në Polici shtatë persona dhe pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë bastisjes me rastin e këtij hetimi i cili ende po vazhdon, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion, veshje me përmbajtje nacionaliste, dylbi, dokumente, pajisje elektronike të ndryshme dhe gjëra të tjera.
“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë sigurinë, ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës” – thuhet tutje në komunikatë.
KALLXO.com gjatë ditës kishte raportuar se këto bastisje janë duke u kryer në lidhje me vrasjen e doganierit të EULEX-it, një vrasje që kishte ndodhur në shtator 2013.
Audrius Senavicius, doganier lituanez, ishte vrarë me 19 shtator 2013 pas të shtënave ndaj dy automjeteve të EULEX në afërsi të Zveçanit.
Në ndërkohë, Prokuroria Speciale kishte thënë se aksioni po kryhet në nëntë lokacione të ndryshme nën dyshimin për veprat: Rrezikim i personelit të Kombëve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; Vrasje e rëndë; Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Operacioni është duke u mbështetur nga njësië relevante të Policisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit” – thuhet në njoftim.
Zyra për Kosovë në Qeverinë serbe tha se në operacionin në veri janë arrestuar shtatë serbë, duke e cilësuar këtë aksion si vazhdim të “shtypjes brutale fizike dhe ligjore ndaj popullit serb”.
Nga kjo zyrë thanë se operacioni policor, që nisi në orët e hershme të së dielës, synon “frikësimin dhe krijimin e trazirave në mesin e familjeve serbe që kanë jetuar në këto zona për dekada të tëra”.
“Kjo ka të bëjë me hakmarrjen e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurti kundër popullatës serbe në veri të Kosovës për shkak të fitore së serbëve në zgjedhjet e fundit [lokale], por edhe për shkak të nervozizmit të Prishtinës pas dështimit në zgjedhje, të cilin Kurti dëshiron ta kompensojë në kurriz të popullit serb”, u tha në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se “arrestimet brutale të serbëve” në Zubin Potok dhe Zveçan, janë pjesë e një fushate “të terrorit të organizuar” nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kundër serbëve.
Edhe kjo parti akuzoi autoritetet kosovare për “hakmarrje politike ndaj popullit serbë në veri, pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet e fundit”.
“Duke pasur parasysh rundin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale dhe krizën në Prishtinë, i bëjmë thirrje popullit tonë të qëndrojë i qetë dhe i bashkuar, sepse e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. Asnjë veprim frikësues nuk do të thyejë shpirtin e popullit serb apo vendosmërinë tonë për të mbetur në vaërat tona shekullore, dhe na takon neve të ruajmë njëri-tjetrin dhe paqen që na nevojitet aq shumë”, u tha në reagimin e Listës Serbe.
Zveçani dhe Zubin Potoku, janë dy nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Në këto komuna, viteve të fundit ka pasur tensione dhe më 2023, në këtë zonë kishte pasur protesta të serbëve lokalë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.
Bastisjet në veri janë në lidhje me vrasjen e doganierit të EULEX në 2013