Takimi për prezantimit të ecurisë së Master Planit për Kompleksin “Adem Jashati”. Foto. ZKM.
Prezantohet ecuria e hartimit të Master Planit për Kompleksin Memorial "Adem Jashari"
Kryeminstri në detyrë Albin Kurti mori pjesë të enjten, më 04.06.2026, në prezantimin e ecurisë për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë këtij takimi, Kurti e ka vlerësuar këtë projekt si njërin nga më të rëndësishmit për kujtesën historike dhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Prekazi, siç ka thënë Kurti, zë një vend të posaçëm në kujtesën historike të popullit tonë.
Kurti ka thënë se qëndresa dhe sakrifica e familjes Jashari e shndërruan atë në simbol të mbrojtjes së atdheut dhe të përkushtimit ndaj lirisë, duke dëshmuar kësisoj se liria nuk është vetëm ideal politik, por edhe vlerë për të cilën flijohet gjithçka.
Siaps ZKM, Kurti ka thënë se trajtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është një detyrim institucional për të ruajtur, dokumentuar dhe përcjellë me dinjitet këtë trashëgimi te brezat që vijnë pas nesh.
“Sipas planifikimit të paraparë, gjatë këtij viti pritet të përfundojnë projektet e konservimit të Kullave të Rezistencës. Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit që të iniciojë procedurat e prokurimit për zbatimin e këtyre projekteve, duke shënuar kalimin nga faza e planifikimit dhe projektimit në fazën e ndërhyrjeve konkrete konservuese në terren”- thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Kurti ka thënë se që nga themelimi i Komitetit Ndërministror është punuar me kujdes për të ndërtuar bazën profesionale, teknike dhe institucionale të këtij projekti.
Sipas njoftimit, deri tani janë realizuar studimet e nevojshme, janë angazhuar ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe është organizuar me sukses konkursi ndërkombëtar për hartimin e Master Planit, sic thuhet në njoftim, me synimin që ky proces të zhvillohet sipas standardeve më të larta profesionale.
Takimi i sotëm, sipas njoftimit është një mundësi për t’u njohur me rezultatet e arritura deri më tani dhe me hapat të cilët priten në vazhdim.
“Nga ajo që u prezantua sot, mund të konstatojmë se projekti po avancon në përputhje me planin dinamik të kontratës dhe se dokumentet e hartuara deri më tani dëshmojnë nivel të lartë profesional”- citohet Kurti nga ZKM.
Kurti u shpreh se institucionet e Kosovës mbeten plotësisht të përkushtuara për të siguruar të gjitha kushtet që ky projekt të përmbyllet me sukses dhe të realizohet sipas standardeve më të larta teknike e profesionale, në përputhje me rëndësinë historike, kulturore e shtetërore.
