Presidentja Osmani takon ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhjen në Kosovë ambasadorit Blaj, duke theksuar gatishmërinë për të punuar ngushtë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Presidentja në këtë takim me Blaj falënderoi shtetin e Sllovenisë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, mbështetjen në rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Ajo përmendi rolin e Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit Brdo-Brijuni dhe theksoi rëndësinë që Kosova i kushton këtij formati si platformë për dialog rajonal, stabilitet dhe perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor.