Haxhiu takohet me ambasadorin Rudolph, theksohet rëndësia e partneritetit strategjik Kosovë - Gjermani

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph, më 02.06.2026.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se Haxhiu e ka falënderuar Rudolph-in për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, zhvillim demokratik dhe integrim evropian.

“Në takim u theksua rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe roli i veçantë që Gjermania ka pasur në momente kyçe për vendin.”- thuhet në komunikatën e Presidencës.

Haxhiu, sipas Presidencës ka vlerësuar se Gjermania mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe ka theksuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë integrimin evropian, ekonominë, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

“Ajo ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë si të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në proceset evropiane dhe ndërkombëtare.”- thuhet në këtë komunikatë.