Presidentja Vjosa Osmani. Foto: Presidenca e Kosovës.

Osmani premton formalizimin e partneritetit strategjik me SHBA-në 

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Vjosa Osmani, ka publikuar një video-mesazh në rrjetet sociale, në të cilin ka shpalosur disa nga prioritetet e saj në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Në mesazhin e saj, Osmani tha se Kosova ka kaluar sfida të shumta ndër vite, duke theksuar mbështetjen që, sipas saj, vendi ka marrë nga aleatët ndërkombëtarë, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo deklaroi se orientimi euroatlantik duhet të mbetet drejtimi strategjik i Kosovës, duke argumentuar se siguria, ekonomia dhe paqja kërkojnë aleanca të qëndrueshme dhe partneritete afatgjata.

Osmani gjithashtu vlerësoi punën e Presidencës gjatë viteve të fundit në arenën ndërkombëtare, duke thënë se institucioni ka kontribuar në rritjen e prezencës së Kosovës në diskutimet që lidhen me paqen, sigurinë dhe demokracinë.

Duke paraqitur zotimet e saj zgjedhore, ajo tha se në fillim të mandatit synon të formalizojë dhe institucionalizojë partneritetin strategjik me SHBA-në, duke e cilësuar atë si shtyllë të përhershme të politikës shtetërore të Kosovës në fushat e mbrojtjes, ekonomisë, sigurisë dhe diplomacisë.

Sipas Osmanit, Kosova do të vazhdojë të forcojë pozitën e saj në strukturat dhe iniciativat ndërkombëtare të sigurisë, ndërsa ushtarakët e vendit do të marrin pjesë në misione paqeruajtëse së bashku me forcat amerikane.

Në fund të mesazhit, ajo tha se synon të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me partnerët ndërkombëtarë, të bazuara në interesin shtetëror, duke përmendur SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian si partnerë kyç për të ardhmen e Kosovës.

“Ne do të ndërtojmë marrëdhënie të cilat nuk varen nga individët apo nga mandatet politike, por vetëm nga interesi i përhershëm shtetëror, sepse e ardhmja e Kosovës ëhstë e artë, me Amerikën, me NATO-n, me Bashkimin Europian” – deklaroi Osmani. 


Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën, më 7 qershor 2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Fushata ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.