Keqpërdorusit e votave të bashkatdhetarëve nga Austria shpallen fajtorë

Tahir Shala dhe Kastriot Blakaj, të akuzuar për keqpërdorim të drejtës në votim dhe vjedhje identiteti të votave të bashkatdhetarëve nga Austria janë shpallur fajtorë nga gjykata në seancën e mbajtur më 29.05.2023.

Ata akuzoheshin se nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë; Dardan Blakaj, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala dhe Sylë Blakaj, kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

Gjykata në seanca të ndara si dënim unik dy vepra penale, gjyqtari Musa Konxheli aprovoi  marrëveshjen që Tahir Shalës t’i shqiptohet dënimi me burgim prej 20 muajsh.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk do të kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës kohore prej 2 vitesh.

Kurse, për të akuzuarin Kastriot Blakaj për të njëjtat vepra penale  u vendos dënimi unik prej 24 muajsh, i njëjti i kushtëzuar për 2 vite.

Gjyqtari Musa Konxheli, aprovoi dy marrëveshjet mbi pranimin e fajësisë të arritura mes prokurorit special Ilir Morina dhe mbrojtjes së të akuzuarve avokat Arianit Koci dhe Visar Gorani.

Gjyqtari Konxheli sqaroi për publikun se për veprat e njëjta penale, këto dënime dallojnë për shkak se dallon edhe kontributi i secilit në veprat e kryera.

Prokurori special, deklaroi se tërhiqet nga dënimet plotësuese për të dy të akuzuarit.

Mbrojtësit e të akuzuarve nuk paraqitën kundërshtime lidhur me marrëveshjen, qëndruan mbrapa saj dhe deklaruan se heqin dorë nga e drejta për ankesë.

Tahir Shala, para gjyqtarit Konxheli deklaroi se është i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë, e kupton natyrën e saj, dhe se këtë pranim e ka bërë me vullnet të lirë pas konsultimeve me mbrojtësin.

Edhe Blakaj, u shpreh se i kupton pasojat e pranimit të fajësisë dhe se këtë pranim e ka bërë në konsultime me mbrojtjen e tij.

Prokuroria Speciale dhe mbrojtësi të pandehurit Tahir Shala, kanë arritur marrëveshje që për veprën penale “keqpërdorim i të drejtës së votës” parasheh që shqiptohet dënimi me burgim prej 18 muajsh, kurse për veprën penale “vjedhje identiteti dhe pajisja e qasjes” 12 muaj burgim.

Sipas dosjes së Prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje me të pandehurit tjerë; Dardan Blakaj, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala dhe Sylë Blakaj, kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

I akuzuari Dardan Blakaj e kishte pranuar fajësinë në seancën e datës 24.02.2023.

Atij ju shqiptua dënimi unik me burgim prej 11 muajsh, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 1 viti i pandehuri Blakaj nuk kryen vepër tjetër penale.

Krejt këto veprime të të akuzuarve sipas dosjes janë kryer me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Dosja e Prokurorisë thekson se të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Dardan Blakaj, Kastriot Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë Blakaj, u mblodhën në një zyrë që dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakajt në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për t`u regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

E ku në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi, i cili e mbante numrin votues 32.Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë  e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjevukaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A. A. (Shoferi i autobusit).

Blakaj pranon se ishte pjesë e keqpërdorimit të votave të diasporës