Mbrohen në heshtje tre prej katër zyrtarëve të akuzuar të Ministrisë së Infrastrukturës

Është mbajtur seanca e radhës gjyqësore ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukurës, Betim Reçicës, Isa Berisha, Leonora Limani, Mirdit Emini, më 08.04.2024, të cilët po akuzohen se dëmtuan buxhetin e shtetit prej 9.5 milionë euro.

Në këtë seancë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini vendosën të mbrohen në heshtje, duke besuar se deri në këtë stadë të gjykimit i kanë thënë të gjitha ato çka kanë pasur për t’i thënë.

Të pranishëm në gjykatore përveç vetë këtyre të pandehurve ishin edhe mbrojtësit e tyre, përkatësisht avokatët Florim Latifaj, Alban Makolli, Driton Musliu, si dhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar kompanisë “Sallahu”.

Kjo e fundit gjithashtu vendosi të mos deklarohet.

Kurse Betim Reçica vendosi të deklarohet, kësisoj u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij avokatit Arbër Krasniqi, prokurores Habibe Salihi dhe trupit gjykues: Musa Konxheli, Valon Kurtaj, Lutfi Shala.

Reçica tregoi që gjatë periudhës 2017-2019 fillimisht ka qenë zyrtar i lartë i Prokurimit, pastaj përgjegjës i Prokurimit – ushtrues detyre , pastaj udhëheqës i Njësisë zbatuese në projektin Kijevë-Zahaq, dhe pastaj Sekretar i përhershëm.

Ai tha se kompania tiranse ‘Gjoka Contruction’, e cila pretendohet nga prokuroria se përfitoi jashtligjshëm tender, kishte përmbushur kriteret ligjore për një gjë të tillë.

“Kjo gjë është vërtetuar edhe nga dy ekspertiza në procedurë gjyqësore si dhe e njëjta ka qenë e vërtetuar edhe me vendim të Organit Shqyrtues të Prokuroimit” – tha i pandehuri Bekim Reçica.

Mëtutje i njëjti u pyet se përse komisioni për rivlerësim u ngut ta kryente më shpejtë rivlerësimin, duke marrë parasysh tenderi ishte kthyer në rivlerësim.

“Lënda është kthyer në rivlerësim me vendim të OSHP-së, koha më e shpejtë është pjesë e dispozitivit të vendimit të OSHP-së ku është kërkuar që brenda 10 ditëve të kryhet rivlerësimi” – tha Betim Reçica.

Duke iu përgjigjur pyetjetve të mbrojtësit të tij, Arbër Krasniqi lidhur me akuzën e prokurorisë se përmes vendimeve të marra në disa raste ka tejkaluar kompetencat e tij, ai u pyetnëse vendimet i ka marrë kokë me vete apo në bazë të cilave kërkesa.

“Me datë 02.10.2019 unë kam pranuar kërkesë të arsyetuar ligjore nga drejtori për buxhet dhe financa në z. Besnik Hajdari kërkesë për kompensimin në pagë së bashku me listën e nëpunësve të propozuar” – shpjegoi ndër të tjera ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen nëse çmimi i ulët ka qenë kriter primar në këtë tender, Reçica e pohoi.

Më tutje avokati i  kompanisë “Sallahu” si palë e dëmtuar Flamur Bllacaku e pyeti të pandehurin nëse operatori ekonomik duhet të jetë i përgjegjshëm.

“Dy kritere janë çmimi më i ulët dhe tenderi ekonomikisht më i favorshëm, s’ka kritere të tjera” – u përgjigj Reçica.

“Jeni deklaruar se e keni pasë vendimin e OSHP-së, a ju kujtohet vlerësimi i realizuar në lidhje me pretendimet ankimore të operatorëve ekonomikë tjerë kundrejt kompanisë “Sallahu”, ku eksperti shqyrtues vlerëson se ‘Sallahu’ i ka plotësuar kushtet” – e pyeti Reçicën përfaqësuesi me autorizim i kompanisë “Sallahu”, avokati Flamur Bllacaku.

“Nuk më kujtohet” – u përgjigj Betim Reçica.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli për akuzën e prokurorisë se Reçica ka bërë shpëlarje parash duke blerë një veturë e më pas duke e regjistruar në emër të vëllait të tij.

Betim Reçica e mohoi një gjë të tillë duke thënë se vetura në fjalë është e vëllait të tij e blerë në mënyrë të ligjshme dhe ka qartësuar mëtutje se ai posedon një veturë tjetër Audi.

Ai ka thënë se të gjitha vendimet dhe veprimet që ka marrë lidhur me projektet infrastrukturore kanë qenë në përputhje me rregulloret dhe ligjin në fuqi. Duke potencuar se ai ka qenë i përfshirë në projektet infrastrukturore të të gjitha rrugëve nacionale.

Në total dëmi që po pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të Kosovës nga veprimet e përshkruara në këtë aktakuzë të prokurorisë speciale përllogaritet rreth 9 milionë e gjysmë euro.

Ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie Betim Reçica po përballet me tri akuza nga prokuroria, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe shpëlarje të parave.

Kurse Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po përballen me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Palët do të dorëzojnë fjalët përfundimtare me shkrim në seancën e radhës e caktuar me datë 29.04.2024.

Çka thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 15.02.2021 nga prokurorja e rastit Habibe Salihi, i akuzuari Betim Reçica po akuzohet për keqpërdorim  të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Shpërlarje të parave.

Aty thuhet se i njëjti në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejt te Isa Berisha – kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtar të këtij komisioni, që ishin vartës të tij.

Gjithnjë sipas prokurorisë ai kërkoj nga të njëjtit që kompaninë tiranase ta shpallin fituese në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, kryerja e punëve në Lot dy. Kjo edhe edhe pse e njëjta nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP&,,Papenburg Ardiani”. Madje në aktakuzë ceket se kjo e fundit ishte rekomanduar nga Komisioni Rivlerësuese sepse në shumën prej 1,630,487.45 Euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”.

Kjo diferencë çmimi ishte edhe shuma e cila pretendohet nga prokuroria në lartësi të të cilës është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës.

Me këto veprime sipas prokurorisë i pandehuri ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit.

Më tutje Betim Reçica akuzohet se nga data 02.10.2019 e në vazhdimësi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas prokurorisë në këtë mënyrë ai ka nxjerrë vendimin për pagesën e zyrtarëve për shërbime kontraktuese, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët: V.B., S.H., I.Q., M.H., V.I., E.K., F.H., N.I., J.A., M. N., R.O., D. S., A.G.dhe B.G..

Sipas prokurorisë më këtë vendim i pandehuri e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 9.049.8 euro.

Në mënyrë të ngjashme pretendohet të ketë vepruar kur me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar për zyrtar të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në Ministrinë e Infrastrukturës: përkatësisht për H.M. dhe A.B., thuhet të ketë dëmtuar buxhetin e shtetit për për 8 838 Euro.

Pjesë e aktakuzës janë edhe pretendimet se me datë 14.08.2019 po në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, Reçica ka nxjerrë vendim, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompozimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët H.M. dhe A.B. në vlerë prej 250 euro në mënyrë retroaktive duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punë që nga vitin 2010. , Me ç’rast sipas prokurorisë speciale ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68.500.00 euro.

Tutje sipas prokurorisë Reçica, gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar me aktivitet kriminal, me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën Audi prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë, me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër te vëllait te tij Bekim Reçica.

Me ketë veprim gjithnjë sipas dosjes së organit ndjekës është kryer vepra penale Shpëlarje e parave.

Aktakuza në pika të tjera të saj inkriminon të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini,

Sipas prokurorisë Isa Berisha, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rivlerësues në Ministrinë e Infrastrukturës, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, keqpërdorën detyrën zyrtare.

Kjo sepse ata nuk shpallën fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.

Kështu ata për Lot I shpallën Operatorin Ekonomik “Graniti Inginiering” & “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18,468,426.58 Euro e jo Operatorin Ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI”, që kishte ofertuar me çmimin 16,024,128.20 Euro, i cili ishte më i ulët për 2,444,298.38 euro.

Për për Lotin II shpallën fitues Operatorin Ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo Operatorin Ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T” që kishin ofertuar me çmimin 4,275,806.22 euro, i cili ishte më i ulët për 1,630,487.45 euro.

Për Lot IV shpallën fitues Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofruar me çmimin 8,700,127.36 euro, e jo Operatorin Ekonomik,, PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI” që kishin ofertuar me çmimin 7,784,756.72 euro, i cili ishte më i ulët për 915,370.64 euro.

Për Lot VI shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo Operatorin Ekonomik “SALLAHU” i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.

Për Lot VII (shtatë) shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7,247,086.87 euro, e jo Operatorin Ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6,147,674.16 euro, i cili ishte më i ulët për 1,099,412.71 euro.

Për Lot VIII shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11,913,157.91 Euro, e jo Operatorin Ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY” që kishin ofertuar me çmimin 11,571,113,42 euro, i cili ishte më i ulët për 342,044.49 euro.

Prokuroia speciale ka përllogaritur se në total fitimi i Operatorëve Ekonomik ishte 88,618,511.95 euro, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6,200,313.13 euro.

Sipas aktakuzës të pandehurit e lartëcekur në bashkëveprim kanë kryer veprën penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtarë.

Si pikë e fundit e dosjes është akuza është edhe një pretendim i prokurorisë për keqpëdorim të pozitës dhe autoriteti zyrtar për Betim Reçicën.

Ku elaborohet se i njëjti në cilësinë e Ushtrues i detyrës se Drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ka ndryshuar raportin Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion” e ka shpall të përgjegjshëm.

Përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i përgjegjshëm dhe duke pasur një operator tjetër i cili ka ofertuar çmim më të lirë, me ç’ rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 1.630.487,45 euro.