Për herë të 3-të radhazi dështon nisja e gjykimit ndaj zyrtarëve doganorë dhe personave të tjerë që po akuzohen për ryshfet

Për herë të tretë radhazi nuk ka nisur gjykimi ndaj 12 personave të akuzuar për marrje e dhënie ryshfeti.

Në mesin e këtyre personave janë 7 zyrtarë doganorë dhe një zyrtar policor.

Në këtë rast të akuzuar nga Prokuroria se në vazhdimësi kanë pranuar mjete monetare nga persona të ndryshëm janë Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletic, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq dhe Arben Aliu. Kurse për dhënie ryshfeti të akuzuar janë , Dardan Isaj, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi, Bajram Krasniqi.

I akuzuari Admir Sejdiu dhe mbrojtësi i tij Shyqri Syla u konstatuan se mungojnë nga Gjyqtarja, Valbona Musliu- Selimaj.

Prezent në sallë nuk ishte as i akuzuari tjetër, Ahmet Abazi.

Në këto rrethana Gjykimi ndaj tyre për herë të tretë radhazi nuk ka arritur të mbahet. Herën e parë shqyrtimi fillestar nuk kishte arritur të mbahet më 19.03.2024. Herën e dytë përsëri nuk ka arritur të mbahet gjykimi më 29.03.2024.

Nga mungesa e dy të akuzuarve dhe një mbrojtësi gjyqtarja konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e këtij Gjykimi.

Çka thotë aktakuza për 12 personat e akuzuar për marrje e dhënie ryshfeti?

Sipas aktakuzës të dorëzuar në gjykatë më 13.02.2024, Prokuroria akuzon tetë zyrtarë doganorë dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti, për të iu shmangur mbikëqyrjes së rregullt doganore dhe kontrollit të rregullt kufitar, në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Sipas aktakuzës voluminoze të prokurorisë, nga muaji shtator i vitit 2021 e deri në korrik të vitit 2022 në pikën kufitare Hani i Elezit të pandehurit Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletic, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq si zyrtarë doganor dhe Arben Aliu si zyrtar policor në vazhdimësi kanë pranuar mjete monetare nga persona të ndryshëm.

Këto veprime të të akuzuarve nga Prokuroria janë cilësuar të kenë ndodhur në vazhdimësi secili veçmas e me raste edhe në bashkëpunim, kanë marrë ryshfet me qëllim që të ju mundësohet kalimi i pikës kufitare pa iu nënshtruar kontrolleve të rregullta kufitare dhe atyre doganore.

Sipas prokurorisë këto veprime të të akuzuarve bien ndesh me detyrat e tyre zyrtare.

Dardan Isaj, Sabri Spahiu, Ahmet Abazi dhe Bajram Krasniqi, ngarkohen nga Prokuroria për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Abazi akuzohet se më 21.09.2021 në pikën kufitare tek Hani i Elezit, në cilësinë e vozitësit të autobusit të kompanisë “Shero Tours”, derisa ishte duke ju kontrolluar autobusi nga i pandehuri tjetër zyrtari doganor Admir Sejdiu, i akuzuari për dhënie ryshfeti Ahmet Abazi afrohet afër zyrtarëve të tjerë doganorë, të cilët tashmë janë të akuzuar, Verodrag Miletiq dhe Andrija Caviq duke ju dhënë ryshfet një qese që brenda kishte mjaltë dhe 30 euro mjete monetare.

Kurse vozitësi i kamionit të tipit “Mercedes”, i ngarkuar për dhënie ryshfeti Bajram Krasniqi akuzohet se i ka dhënë 10 euro zyrtarit policor i cili tashmë është i akuzuar Arben Aliu me qëllim që t’i shmanget pritjeve kufitare dhe kontrolleve kufitare tek pika kufitare e “Hanit të Elezit” nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.

Tutje Prokuroria për dhënie ryshfeti e ngarkon edhe Dardan Isajn pasi që sipas aktakuzës Isaj më 27.11.2021 në Terminalin Doganor në Mitrovicë si pronar i “D-Mobile Store”- Ferizaj, pasi kishte pagur mallin e sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, i ka dhënë 200 euro ryshfet zyrtarit doganor Admir Sejdiu, pas kërkesës së këtij të fundit.

Aktakuza tutje thotë se Sabri Spahiu në cilësinë e shpediterit (i akuzuar për dhënie ryshfeti), më 26.11.2021 në terminalin doganor ZPD Interevropa në Prishtinë, bashkë me të pandehurin zyrtarin doganor Admir Sejdiu ishin dakorduar sa para t’i kërkojnë një palës të cilën Sejdiu ia kishte dërguar Spahiut.

Këto veprime Spahiu i ka ndërmarrë para se t’i plotësonte dokumentacionet doganore për zhdoganimin e mallit për subjektet “D-Mobile” dhe “D-Mobile Store”.

Rast i ngjashëm lidhur me marrje e dhënie ryshfeti është duke u zhvilluar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës për 23 zyrtarë policor.

Seanca ndaj tyre ishte mbajtur ditën e Hënë më 18.03.2024, ku të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm.