Dallaveret me vota të bashkatdhetarëve nga Austria, Sami Kurteshi dëshmitar në gjykimin ndaj ish-nënkryetarit të Pejës, Shkumbin Gashi

Ish-nënkryetari i Pjeës, Shkumbin Gashi, Sylë Blakaj dhe Kushtrim Gjebokaj u paraqitën në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzuat që rëndojnë mbi ta për keqpërdorim të të drejtës në votim dhe për kanosje, që sipas Prokurorisë kanë ndodhur zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2022.

Sipas aktakuzës të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje kanë keqpërdorur të drejtën në votim, duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri, me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së.

Në këtë seancë parashihej dëgjimi i dëshmitarëve, ku prezent për të dëshmuar ishte anëtari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Sami Kurteshi në gjykatore në cilësinë e dëshmitarit - 27.11.2023 - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO
Sami Kurteshi në gjykatore në cilësinë e dëshmitarit – 27.11.2023 – FOTO: Laurant Berisha – KALLXO

Por radha për të dëshmuar Kurteshit nuk i erdhi, pasi paraprakisht kishte propozim për shtyrje të seancës nga mbrojtja e të akuzuarit Kushtrim Gjebokaj, avokati Ahmet Tahiri.

Tahiri paraprakisht kishte njoftuar gjykatën që dje kishte marrë autorizimin për të përfaqësuar Gjebokajn. Tahiri tha se nuk është i pajisur me shkresat e lëndës dhe i nevojiten të njëjtat për përgatitjen e një mbrojtje sa më efektive.

Kundër shtyrjes së seancës u deklarua prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, duke propozuar si zgjidhje veçimin e procedurës për të pandehurin Gjebokaj, me arsyen se i njëjti akuzohet për kanosje.

Në këto rrethana kryetari i trupit gjykues, Musë Konxheli mori vendim për ndërprerjen e gjykimit duke aprovuar propozimin e avokatit Tahiri.

Në këtë rast të akuzuar janë ish deputeti i Kuvendit të Kosovës Shkumbin Gashi, Sylë Blakaj dhe Kushtrim Gjebokaj.

Bashkë të akuzuar me tre të lartcekurit janë edhe Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Dardan Blakaj dhe Milot Blakaj, për të cilët është veçuar lënda pasi të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Sipas dosjes së prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

E krejt këto veprime me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme Parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Kastriot, Milot, Dardan, Tahir dhe Sylë u mblodhën në një zyrë që  dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakës në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për tu regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

E ku në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi, i cili e mbante numrin votues 32.

Tutje një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Me të arritur çanta në Vjenë  e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë.

E gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartë cekura me fletë votime të falsifikuara.

E me këto veprime të pandehurit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim i të drejtës në votim si dhe për veprën penale vjedhje të identitetit.

Kurse vetëm Kushtrim Gjebokaj nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes pasi që më 9 shkurt 2021 në stacionin e Autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A.A(Shoferi i autobusit), në atë mënyrë që në ditën e incidentit me veturë të tij të tipit Audi A6, pret të dëmtuarin e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.