Ilustrim Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Policia e Kosovës ndalon një serb në veri për “shkelje të rendit kushtetues”

Policia e Kosovës ka arrestuar një serb, Sreqko Sofronijeviq, në pikën kufitare të Bërnjak sot, më 13.04.2024 për “shkelje të rendit kushtetues”.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani konfirmoi për KALLXO.com se Sofronijeviq dyshohet se këtë vepër e ka kryer gjatë vitit 2021 si pjesëmarrës në disa turma.

“Është arrestuar sot rreth orës 12 dhe i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë” – tha Elshani.

Ai nuk dha më shumë detaje, pasi që tha se rasti po trajtohet nga krimet e rënda në Prishtinë.

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe ka reaguar ndaj këtij arrestimi, duke e quajtur atë “vazhdimësi të terrorit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit serb”.

Lista Serbe thotë se Sofroniijeviq ishte plagosur nga Policia e Kosovës më 13 tetor 2021.

“Kujtojmë se z. Sofronijeviq u qëllua në shpinë dhe u plagos rëndë nga policia Kurti më 13 tetor 2021, në afërsi të shtëpisë së tij familjare, teksa po përpiqej të strehonte dhe të mbronte një fëmijë nga zjarri i shpërthimit të forcave speciale të Kurtit” – ka shkruar LS në “Facebook” më 13.04.2024

Në reagimin e saj, kjo parti thotë se akuzat për shkelje të rendit kushtetues janë pjesë e planit të Kryeministrit, Albin Kurti për të dëbuar serbët nga veriu i Kosovës.

“Në atë listë të arrestuar janë mbi 80 persona në lidhje me sulmin ndaj rendit kushtetues, disa prej të cilëve mjekë, biznesmenë, përfaqësues politikë të popullit serb, drejtorë të institucioneve dhe institucioneve publike” – thotë Lista Serbe.

Ajo i ka bërë thirrje vendeve të QUINT-it, Bashkimit Europian, EULEX-it e UNMIK-ut për të reaguar ndaj këtij arrestimi.