Petkoviq: Në zgjedhje votuan 13 serbë, Kurti dhe Osmani përjetuan disfatë të plotë

Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se nga 45.096 votues të regjistruar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në zgjedhjet e sotme kanë votuar 1.566 shqiptarë dhe 13 serbë.

Në një konferencë për media, pas mbylljes së vendvotimeve për zgjedhjet në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Petkoviq saktësoi se nga 13 serbët që kanë dalë sot në qendrat e votimit, dy kanë votuar në Mitrovicën e Veriut; shtatë në Leposaviq; katër në Zveçan ndërsa në Zubin Potok nuk ka votuar asnjë person i nacionalitetit serb, raporton N1.

“Do të shtoja se kësaj radhe 449 shqiptarë kanë votuar më pak se në zgjedhjet e kaluara. Rezulton se nuk kanë qenë vetëm serbët që i bojkotuan zgjedhjet antidemokratike të Kurtit, por me sa duket edhe shqiptarët i bojkotuan ato zgjedhje” – theksoi Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe të gjithë ata që me muaj të tërë kanë kërkuar këto zgjedhje, kanë përjetuar “një disfatë dhe fiasko të plotë”.

“Fituesi i vërtetë është populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi plotësisht këto zgjedhje” – tha Petkoviq.

Sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 1 mijë e 500 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se procesi është zhvilluar pa asnjë incident dhe se të gjitha vendvotimet janë mbyllur.

Ndërsa sipas komunave në Leposaviq kanë votuar 141 votues, në Zubin Potok 385 votues, në Zveçan 204 votues dhe në Mitrovicë të Veriut 837 votues.

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale pasi përfaqësuesit e serbëve u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022. Fillimisht zgjedhjet ishin përcaktuar të mbaheshin në dhjetor por me kërkesë të ndërkombëtarëve zgjedhjet janë shtyrë për 23 prill.