Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 ore në Kosovë

Vetëm në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar pesë raste të dhunës në familje. Sipas raportit të Policisë, rastet janë shënuar në Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe dy në Gllogoc.

Në kryeqytet një vajzë dyshohet se është sulmuar fizikisht nda babai i saj. Sipas Policisë, viktima ka raportuar se sulmi fizik ka ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga ana e Policisë dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Obiliq është raportuar Policia e Kosovës ka arrestuar një të burrë, i cili dyshohet se në vazhdimësi i ka shkaktuar dhunë psikike gruas së tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në mesin e të arrestuarve për dhunë në familje në 24 orët e fundit është edhe një i mitur.

Policia ka njoftuar se i mituri është arrestuar më 5 mars 2022, rreth orës 22:00, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua.

I dyshuari thuhet se me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.

Dy raste tjera të dhunës në familje kanë ndodhur në Drenas.

Në rastin e parë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij. Viktima, sipas Policisë, është dërguar për tretman mjekësor.

Tutje është thënë se pas intervistimit, me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë i dhunës në familje në Drenas, është raportuar nga një grua, e cila ka raportuar se është fyer dha kanosur nga bashkëshorti i saj.

Policia ka thënë se i dyshuari është arrestuar dhe ai pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.