Pëllumb Bajqinovci, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës Foto: KALLXO.com

Pëllumb Bajqinovci zgjidhet kryekuvendar i Prishtinës

Pëllumb Bajqinovci nga Lidhja Demokratike e Kosovës është zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Zgjedhja e tij është bërë përmes votimit të fshehtë përmes një seance të jashtëzakonshme.

Në seancë morën pjesë 26 asamblistë dhe të gjitha votat ishin pro.

Bajqinovci nuk pati kundërkandidat në garën për kryekuvendar. Ai u propozua nga grupi i asamblistëve të LDK-së.

Fillimisht është formuar komisioni i përbërë nga Lindita Rexhepi (LDK), Agron Canolli (PDK) dhe Endrit Zabërgja.

Pëllumb Bajqinovci, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës Foto: KALLXO.com

Pika e vetme e kësaj seance është kjo e zgjedhjes së kryesuesit të Kuvendit Komunal. Përveç, asamblistëve të LDK-së dhe PDK-së kanë marrë pjesë edhe një nga AKR dhe një NISMA.

Kjo seancë është bojkotuar nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zgjedhja e kryesuesit të ri i parapriu dorëheqjes së Fehmi Kupinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës më datën 8 qershor 2023.

Në mbledhjen e datës 27 qershor vetëm me vota të partive qeverisese është shkarkuar Kupina nga pozita e kryesuesit. 

Para se të votohet shkarkimi i tij, Fehmi Kupina kishte lëshuar sallën bashkë me partitë opozitare duke deklaruar se “nuk ka kushte për të vazhduar punimet”.

MAPL ka konstatuar se vendimet e votuara në atë seancë pas mbylljes se seancës së Kuvendit nga kryesuesi, janë të paligjshme.

Sipas partisë më të madhe opozitare në Prishtinë, LVV, kjo seancë është thirrur në kundërshtim të plotë me dispozitat procedurale dhe me shkelje flagrante të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si dhe Statutit të Komunës së Prishtinës. 

Sepse sipas tyre, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka një kryesues legjitim dhe se emërimi i një kryesuesi të ri, pa e shkarkuar kryesuesin aktual është shkelje ligjore dhe nonsens i llojit të vet.

“E gjithë kjo katrahurë ligjore e administrative që po mbretëron në Komunën e Prishtinës është si pasojë e veprimeve të jashtligjshme që janë ndërmarrë gjatë mujave të fundit nga Kryetari Rama dhe administrata e tij. Vlerësojmë se e gjithë kjo po bëhet për të larguar vemëndjen e qytetarëve nga keqqeverisja dhe gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhet qyteti”- thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.