Bregdeti shqiptar - Foto: VOA
Nëntë destinacione europiane për pushime në vitin 2025, nëse nuk është hera jote e parë
Nga arratisjet romantike në Mesdhe deri te ecjet në Alpet e mbushura me ajër të pastër, këto janë zonat më emocionuese të Europës për t’u vizituar këtë vit, raporton BBC.
Ndërsa pjesa më e madhe e Europës është e pasur me histori, kulturë, kuzhinë dhe peizazhe mahnitëse, disa vende janë veçanërisht të gatshme për të mirëpritur vizitorë pikërisht tani.
Kjo nuk është lista juaj tipike e destinacioneve klasike europiane; këtu nuk do të gjeni Romën apo Londrën. Parisi është përfshirë për shkak të qetësisë që pritet pas Lojërave Olimpike, si dhe rihapjes së Notre-Dame, një ikonë që më në fund ka “gjetur zërin e saj”. Në vend të një liste ëndrrash për një jetë të tërë, kemi përzgjedhur destinacione specifike për vitin 2025, që do ta bëjnë pushimin tuaj këtë vit veçanërisht të paharrueshëm.
Shumë prej këtyre vendeve janë destinacione të pazbuluara që nuk vuajnë nga mbipopullimi turistik, një problem që ka shkaktuar trazira dhe përplasje me banorët vendas në qytetet europiane më të vizituara vitet e fundit.
Këto janë rajone në ngjitje të Europës, ku mund të përjetoni monumente ikonike kulturore, hotele spektakolare dhe aventura në natyrë. Nga ditët buzë Mesdheut të rrezatuar nga dielli, deri te ngjitja në majat më të larta të Alpeve, këtu janë nëntë destinacione emocionuese europiane për t’u vizituar në vitin 2025.
1. Puglia, Itali
Në vitin 2024, Puglia shënoi një rritje për 20% të turizmit ndërkombëtar, me më shumë se 15 milionë qëndrime gjatë natës, një pjesëtim në raport me 51 milionë të Romës. Me dy aeroporte ndërkombëtare (Bari dhe Brindisi) dhe me interesin e shtuar, tani është koha për ta vizituar para se të përhapet fjala.
“Taka e çizmes së Italisë ka vlerë të jashtëzakonshme krahas bregdetit Amalfi, me masserie autentike (hotel-fermë) të shëndërruar në një pronë luksoze” – thotë Coco Tran, një këshilltare udhëtimesh dhe fotografe me bazë në Kaliforni, e cila ka hulumturar dhe fotografuar Italinë vite me radhë.
“Shijimi i ushqimit të freskët vendor, bregdeti i jashtëzakonshëm dhe pjesët e mbrojtura nga UNESCO, si Alberobello, e bëjnë atë të dallohet” – shton ajo.
Në vitin 2025, udhëtarët po ashtu mund të përjetojnë Jubilee Puglia, një event katolik që mbahet çdo 25 vjet, bashkë me evente më të mëdha në Romë.
Tran rekomandon rezervimin e tavolinës buzë shkëmbinjve në Osteria Sant’Anna në Polignao A mare, ku mëngjesi servohet i freskët.
Në ditët e ngrohta, bëni një zhytje në Grotta della Poesia (Shpella e poezisë), një vrimë noti natyrale pa të meta; apo bredhni nëpër rrugët e mbushura baroke të Lecce-s. Edhe pse është një vit i ri, disa nga preferencat e vjetra mbeten të njëjta.
Tran thotë se Masseria Torre Coccaro mbetet zgjedhja më e mirë, me dhoma të bardha të rrethuara me pemishte të lashta ulliri, si dhe villat me pishina të vogla të thella private, ku mund të zhytesh i tëri pa u brengosur se të sheh dikush.
Koha më e mirë për vizitë: Koha e preferuar për vizitë në Puglia është në pranverën e vonë (maj- qershor) dhe vjeshtën e hershme (shtator-tetor) për shkak të motit ideal dhe turmave të vogla.
2. Bregdeti Alentejo, Portugali
Portugalia vazhdon të tërheqë vëmendjen botërore, por kombi iberik ka më shumë për të treguar se sa Porto dhe Lisbona. Rajoni që më në fund po bie në sy është bregdeti Alentejo, i cili pati vitin më të mirë turistik të shënuar në vitin 2024.
“Bregdeti Alentejo i Portugalisë më në fund po merr vëmendjen që e meriton, me plazhet e tij të pastra dhe me verëra fantastike” – thotë Tran.
Përderisa shumë udhëtarë këmbëngulin të udhëtojnë në rajonet e Lisbonës apo Algarves, ky bregdet marramendës ia vlenë për t‘u provuar, sidomos për ata që janë në kërkim të natyrës, historisë dhe aventurave.
“Kombinimi i bukurisë bregdetare, rrugët e jashtëzakonshme për çiklizëm, dhe kosto e përballueshme në përgjithësi krahasuar me vendet e tjera në Europë, e bëjnë këtë zonë një vend ideal për t’u arratisur, për ata të cilët kërkojnë emocione” – thotë Maria Elena Price e ExperiencePlus! Bicycle Tours, e cila mban turne përreth botës, duke përfshirë edhe bregdetin Alentejo.
Evora, një qytet i listuar në mbrojtjen e UNESCO-s, me rrënoja romane dhe arkitekturë mesjetare, është vend ideal për të apasionuarit pas historisë, ndërsa Zabujeira do Mar, ofron një nga plazhet më të bukura në vend.
Gjatë qershorit, udhëtarët mund të marrin pjesë në festën e njohur Festas dos Santos Populares (Festivali i shenjtorëve të famshëm) një kremtim për nderin e shenjtorëve të Portugalisë, që mbahet në tërë vendin.
Pozicionohuni në Craveiral, një hotel i vogël ku më shumë se 70% e përbërësve në restorante vijnë nga ferma e tij, duke përfshirë edhe përbërësit mbi picat e pjekura në furrë me dru.
Koha më e mirë për vizitë: Vera është e mrekullueshme në Alentejo, me plazhe të mbushura dhe ecje malore përgjatë Fisherman’s Trail. Nëse preferoni më pak turma, moti në vjeshtë, mes shtatorit dhe nëntorit është i mrekullueshëm.
3. Andermatt-Sedrun-Disentis, Zvicër
Shamonin e vizitojnë rreth 5 milionë njerëz në vit, ndërsa një milion të tjerë e vizitojnë Verbierin – të dyja të njohura për reshjet epike të borës dhe terrenin brenda dhe jashtë pistës.
Megjithatë, udhëtarët botëror eksploruan majat europiane me më pak turistë – sidomos Andermatt-Sedrun-Disentis, tri rezorte të ndërlidhura që së bashku ofrojnë 180 km terren të gatshëm për skijim.
Meqenëse skijimi është tashmë superior, Mike Goar, drejtor operativ për funksionimin e maleve në Zvicër, rezortet Vail, thotë se në vitin 2025 do të ketë një investim prej 119 milionë franga zvicerane për përmirësimin e kushteve malore.
Megjithatë, ky destinacion nuk është vetëm për dimër. Në secilën stinë ju mund të shëtitni me trenin Glacier Express përgjatë rajonit Alpin, të ecni deri tek akullnaja Lago di Tom apo të vizitoni alpet Uri në një udhëtim me biçikletë.
Ky rajon ju bën të përjetoni ndjenjën e fshatit të vogël Alpin – duke përfshirë furnizimin e pafund me ushqime të ngrohta zvicerane – si dhe më pak turma sesa pjesët e tjera më të njohura të Zvicrës.
Qëndroni në Chedi Andermatt, vend luksoz, i cili ju ofron qasje më të lehtë tek shpatet; dhe kërkoni hotelin e modës Post Hotel & residences by Elie Saab, i cili pritet të hapet sezonin tjetër të skijimit.
Koha më e mirë për vizitë: Andermatt-Sedrun-Disentis është destinacion për të gjitha stinët. Ju mund të skijoni nga dhjetori deri në prill, të ecni dhe të çikloni nga qershori në shtator si dhe të shijoni lulet e pranverës dhe gjethet e vjeshtës muajt e tjerë.
4. Cap dAntibes, Riviera franceze
Cap d’Antibes po përjeton një moment kulturor në 2025, që e bën këtë skaj joshës të rivierës franceze t’ia vlejë për t’u vizituar. Ky vit shënon përvjetorin e 100-të të arritjes se F.Scott Fitzgerald në Coted’Azur, një event që ka ndihmuar në formimin e trashëgimisë së epokës së xhazit në rivierë, dhe kulmi historik letrar po tërheqë vëmendjen përsëri drejt rëndësisë artistike që ka rajoni.
Hoteli i famshëm Belles Rives, shtëpia e Fitzgerald në vitin 1920, po përqafon të kaluarën historike me një seri ngjarjesh festive. “Përvjetori i 100-të i arritjes së Fitzgerald, e bën këtë hotel legjendar më të rëndësishëm se kurrë” – thotë Andria Mitsakos, themeluesja e AMPR, e cila e përfaqëson pronën.
Përveç hotelit, Cap d’Antibes në qershor organizon festivalin ndërkombëtar të xhazit Juan-les-Pins International Jazz Festival, kur ceremonitë Dita e Bastijës (Bastille Day) sjellin fishekzjarre dhe evente festive.
Më vonë gjatë vitit, vizitorët mund të marrin pjesë në “Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Shenjtë” (Festival International d’Art Sacré), një nga festivalet muzikore më të vjetra në rajon. Shtesë: do të jeni në zemër të gjithçkaje që ofron Riviera franceze, nga plazhet e arta dhe shkëmbinjtë mbresëlënës, deri te vendet kulturore si Picasso Museum dhe Chapelle Matisse.
Koha më e mirë për vizitë: Vera është kohë e mrekullueshme për vizitë pasi që shënjestron personazhe të njohura, të cilët mund t’i shihni, por edhe ujëra të ngrohtë për zhytje. Temperaturat më të freskëta dhe më pak turma mund t’i gjeni gjatë muajve prill-qershor dhe shtator-nëntor.
5. Sllovenia
Përderisa Italia vazhdon të jetë e stërmbushur me turizëm, Sllovenia fqinje po shfaqet dalëngadalë si një opsion i zgjuar, i cili ofron pamje mbresëlënëse, pasuri kulturore dhe më pak turma.
Me emërimin e “Nova Gorica” si “Kryeqyteti Europian i Kulturës për vitin 2025” (European Capital of Culture for 2025), kjo është koha më e mirë për të eksploruar këtë vend mahnitës.
Me vetëm nën 20,720 kilometra katorë, Sllovenia është një “vend i vogël por me potencial”, thotë James Montie, menaxher i degës në Fox World Travel, i cili ka marrë kërkesa të mëdha nga klientë që kërkojnë destinacione jo shumë të njohura. Peisazhet mahnitëse të Sllovenisë, “nga mjedisi si në përralla i liqenit Bled (Lake Bled), e deri tek mrekullitë nëntokësore të shpellës Postojna”, janë asetet kryesore, shton ai.
Kimberley Denison, këshilluese udhëtimesh e pavarur, pajtohet se Sllovenia është në prag të një shpërthimi turistik dhe tani është koha t’i parandalojë turmat “Sllovenia është lidere e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë, me qytete dhe shtëpi pushimi ekologjike dhe hapësira luksoze” thotë ajo.
Po ashtu, ajo ka statistika të besueshme për të verifikuar mesazhet ekologjike, duke përfshirë atë që 60% e sipërfaqes së vendit është pyll dhe është certifikuar si destinacioni i parë i gjelbërt në botë (the world’s first green destination) në vitin 2016.
Për të eksploruar peisazhet madhështore, ngjituni në Parkun Kombëtar Triglav (Triglav National Park), maja më e lartë e Sllovenisë, para se të kaloni natën në Vila Bled, një vendpushim historik buzë liqenit që duket sikur duhet të ishte një shtëpi verore për familjen mbretërore.
Koha më e mirë për të vizituar: Muajt më të ngrohtë nga maji deri në shtator ofrojnë mundësi më të mëdha për të shijuar aventurat në natyrë.
6. Peloponezi, Greqi
Ishujt grekë janë gjithmonë një zgjedhje e preferuar, por në vitin 2025, është pjesa kontinetnale greke ajo që pritet të shkëlqejë – veçanërisht “gishtat” e shtrirë të Peloponezit.
Greqia po investon fuqishëm në rajon këtë vit, duke përmirësuar infrastrukturën si rrjeti rrugor Mycenae dhe duke drejtuar fonde drejt një agroturizmi të qëndrueshëm dhe prodhimit vendor të ullinjve. Si rezultat, udhëtarët kanë qasje më të lehtë, lidhje më të fortë kulturore dhe më pak turma.
Nga tre gadishujt e Peloponezit, Mani – “gishti i mesëm” i egër dhe shkëmbor – spikat më shumë. “Larg zhurmës së ishujve Cikladë, Mani është sekreti më i ruajtur i Greqisë” – thotë Mitsakos, i cili jeton në Greqi dhe përfaqëson një hotel në Mani.
“Kjo krahinë e ashpër dhe e djegur nga dielli është një thesar për udhëtarët që kërkojnë autenticitet, qetësi dhe një rezonancë të thellë kulturore.” Prisni fshatra me kalldrëm, plazhe të paprekura dhe gjire të fshehura, së bashku me “një histori të thellë dhe të rrënjosur”, shton ajo.
Qëndroni në Pirgos Mavromichali, një kullë e shekullit XVIII e restauruar dhe kthyer në hotel butik, ku dhomat e bardha ofrojnë pamje mbi ujërat bruz të gjirit.
Në pjesë të tjera të rajonit, udhëtarët mund të vizitojnë Olimpin, vendlindjen e Lojërave Olimpike; ose të relaksohen në Plazhin Voidokilia në bregun perëndimor. Mitsakos rekomandon gjithashtu fshatra tradicionale si Milea, Rigklia dhe Exochori, për festat e tyre folklorike plot gjallëri që po ringjallin traditat lokale.
Koha më e mirë për të vizituar: Greqia është e mbushur në verë, por falë klimës pak më të ngrohtë të tokës kontinentale, mund të shijoni një pushim me mot të ngrohtë dhe më pak turma nga prilli deri në qershor dhe nga shtatori deri në tetor.
7. Paris, Francë
Parisi kaloi një vit të jashtëzakonshëm në vitin 2024 duke pritur “Lojërat Olimpike Verore”, çka do të thotë se turmat janë pakësuar dhe çmimet janë rikthyer në nivele më të ulëta për vitin 2025. Për më tepër, udhëtimi në këtë qytet është tani më i lehtë se kurrë; që nga 01.01.2025, sistemi i metrosë në Paris nuk funksionon më me sistem zonash të ndërlikuara me tarifa shtesë për periferitë. Sot, mund të përdorësh një biletë të vetme për të udhëtuar në të gjithë rrjetin për deri në dy orë.
Cilat pjesë të këtij qyteti të famshëm duhet t’i prioritizoni? Paul Holinaty, specialist për udhëtime në Europën Qendrore dhe Veriore te kompania Goway, thotë se duhet t’i drejtoheni veçanërisht lagjeve në Bregun e Majtë të Senës.
“Saint-Germain-des-Prés dhe Kopshtet e Luksemburgut janë mjaft afër vendeve kryesore turistike,” shpjegon ai, “por gjithashtu të mbrojtura nga rrëmuja, ku ende mund të gjeni furra buke autentike, dyqane vendore dhe një kulturë fantastike të kafeneve – me shumë vendas që lëvizin përreth zonës.”
“Rive Gauche” është gjithashtu shtëpia e shumë librarive, teatrove dhe butikëve elegantë, që e bëjnë të të duket sikur je në një film romantik.
Udhëtarët gjithashtu mund të rizbulojnë një të preferuar të vjetër, falë rihapjes së Notre-Dame, që hapi dyert në fund të vitit 2024.
Sa i përket akomodimit, “Hôtel du Savoir” – më parë i quajtur “Hôtel Petit Belloy” – sapo është rihapur pas një rinovimi të bërë nga Laune Architecture, në lagjen Saint-Germain-des-Prés, dhe është, për ta thënë shkurt, jashtëzakonisht elegant.
Koha më e mirë për ta vizituar: Parisi është një festë për shqisat në çdo stinë. Megjithatë, është veçanërisht i mrekullueshëm në pranverë, nga prilli deri në qershor, kur lulet çelin dhe ditët janë më të gjata e më me diell.
8. Bregdeti perëndimor i Suedisë
Turizmi në Suedi ka njohur rritje të ndjeshme vitet e fundit, pjesërisht për shkak të trendit të ri të quajtur “coolcation” – ku udhëtarët kërkojnë destinacione më të freskëta për pushimet e verës. Me peizazhe të pacënuara, ajër të pastër dhe vlera progresive, ky vend nordik është zgjedhja ideale. Edhe në kulmin e verës, temperaturat rrallëherë kalojnë 20 gradë Celcius, duke e bërë një alternativë tërheqëse ndaj vapës së Europës jugore.
Ndërsa shumica e vizitorëve për herë të parë drejtohen në Stokholm, bregu perëndimor i Suedisë mbetet një zgjedhje më e egër dhe më natyrore, imagjinoni ishuj graniti, ajër të kripur dhe ushqim deti të freskët, direkt nga varka. Ditët e gjata verore dhe netët e freskëta krijojnë kushte ideale për kajak, ecje në natyrë apo thjesht për të shijuar dritën karakteristike nordike, pa turma dhe pa radhët e kryeqytetit.
Ky rajon është gjithashtu i mrekullueshëm për ata që udhëtojnë me vetëdije mjedisore. Göteborg, qyteti i dytë më i madh në Suedi, ka fituar së fundmi etiketën “Mission Label” të BE-së për planet e tij ambicioze për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2030. Mund të qëndroni në Hotel Pigalle, një hotel butik me stil vintage dhe prekje ekologjike, duke përfshirë produkte pastrimi organike dhe përbërës të burimeve lokale.
Nëse kërkoni më shumë qetësi sesa ofron qyteti, arkipelagu Bohuslän ju pret me aventura të qëndrueshme, lëvizje midis ishujve dhe disa nga frutat e detit më të shijshme që do të provoni ndonjëherë.
Koha më e mirë për ta vizituar: Qershor-gusht, kur dita zgjat deri në orën 22:00 dhe kushtet janë ideale për eksplorime bregdetare.
9. Shqipëria
Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga destinacionet më të nënvlerësuara të Europës, por kjo po ndryshon me shpejtësi. Falë lehtësimit të regjimit të vizave dhe zgjerimit të linjave ajrore ndërkombëtare, vendi po ngjitet me ritme të shpejta në hartën globale të udhëtimeve. Vetëm në vitin 2024, Shqipëria priti një rekord prej 11.7 milionë vizitorësh ndërkombëtarë, një rritje e nxitur edhe nga trendi global për të zbuluar arratisje më pak të njohura në Mesdhe, që do të thotë se tani është koha ideale për ta vizituar, para se të mbushet plot.
“Shqipëria po fiton shpejt njohje për përzierjen e saj unike të historisë, vijës bregdetare të paprekur dhe skenës në zhvillim të ushqimit dhe verës” – thotë Denison. “Qyteti i Gjirokastrës (nën mbrojtjen e UNESCO-s), plazhet e virgjëra të Rivierës shqiptare dhe vreshtat e Beratit krijojnë një arratisje mesdhetare ende nën radar, por që po fiton vrull.”
Projektet e reja të infrastrukturës po e lehtësojnë udhëtimin (më pak gropa në rrugë gjithmonë janë një plus). Po ashtu, Shqipëria po investon edhe në akomodime luksoze, si “Green Coast Hotel” pranë zonës së mbrojtur nga UNESCO në Butrint, i cili pritet të ofrojë luks të vërtetë mes shpellave bregdetare.
“Shqipëria është në prag të të qenit një nga destinacionet kryesore të udhëtimeve luksoze” – shton Denison.
Ndërsa zona të nxehta si Ksamili po njohin popullaritet gjithnjë e më të madh, ata që shkojnë pak më larg turmës shpërblehen me ujëra të kristalta që rivalizojnë ishujt grekë. Në brendësi të vendit, Bjeshkët e Nemuna ofrojnë peizazhe dramatike që tërheqin alpinistë dhe adhurues të aventurës në veri të egër të Shqipërisë.
Për ata që duan një qëndrim buzë detit me stil, “La Brisa Boutique Hotel” në Dhërmi është vetëm pak hapa nga rëra, ndërsa projekte të mëdha si Marriott i ri te Marina e Vlorës (me hapje të parashikuar në vitin 2028) tregojnë se kjo perlë mesdhetare nuk do të mbetet gjatë një sekret.
Koha më e mirë për të vizituar: Muajt e verës janë idealë në Shqipëri, dhe ende nuk kanë arritur nivelin e mbipopullimit të fqinjve si Greqia. Moti i ngrohtë krijon kushte të përsosura për plazh, ecje dhe eksplorim.
Kush e zgjodhi këtë listë?
Stacey Leasca, një fituese çmimesh si gazetare e udhëtimeve, e cila jeton në Lisbonë të Portugalisë, me dy dekada përvojë mbi destinacionet përreth Europës dhe më tej.
Ajo punoi si ndihmës-profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe është kandidate për doktoraturë, duke specializuar në rezistencën ndaj dezinformimit në gazetari./BBC
Artikulli është përkthyer në gjuhën shqipe nga Altina Hasimi.